“Djepi i Engjëjve”- kështu quhet një repart i veçantë në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK.
Ky repart është një hapësirë e ngrohtë dhe humane, ku bëhet kujdesi për foshnjat e porsalindura, të cilët braktisen nga familjet e tyre.
Këtu ku qetësia përzihet me të qarën e foshnjave, mjekët dhe infermieret bëhen prindër të përkohshëm, duke u dhënë engjëjve të sapoardhur në këtë botë kujdesin e parë shëndetësor, ngrohtësinë dhe përkujdesjen që u mungon nga prindërit në ditët e para të jetës së tyre, raporton Arbresh.info.
“Djepi i Engjëjve” nuk është vetëm një repart mjekësor, por edhe një strehë e përkohshme për fëmijët më të pafajshëm, derisa institucionet përkatëse të vendosin për të ardhmen e tyre.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina, për Arbresh.info ka treguar për punën që zhvillohet në këtë repart, proceset e kujdesit ndaj foshnjave të braktisura si dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë.
“Ne e kemi një dhomë të veçantë për fëmijët pa përkujdesje prindërore, e kemi një dhomë që përkujdesemi për këto foshnje, në momentin kur lind foshnja, në klinikën obstetrike-gjinekologjike, dhe prindërit deklarohen që nuk duan të marrin foshnjën për arsye dhe shkaqe të ndryshme, kemi faktorë të ndryshëm të shumtë që mund të shtyjnë deri të një vendim i prindërve, atëherë foshnja në mënyrë të menjëhershme merret nga infermieret dhe sillet në klinikën tonë, pikërisht në dhomën që ne e kemi të destinuar dhe të përgatitur për këto foshnje dhe kalon në përkujdesjen e stafit tonë, në rast se ajo foshnje ka nevojë për ndihmë mjekësore, ne i ofrojmë, në rast se nuk ka nevojë, e kemi kujdesin rutinor ndaj asaj foshnje, me ushqyerje, ndërrim, pastrimin, kujdesin, krejt çfarë ka nevojë”, thotë ai.
Morina tregon bashkëpunimet që klinika e Neonatologjisë ka me Qendrën për Punë Sociale për strehimin e foshnjave të braktisura. Ai tregon se ka raste kur është arritur që fëmijët e braktisur të ribashkohet me prindërit e tyre biologjikë.
“Kjo përkujdesje ndaj këtyre foshnjave zgjat 30 ditë, ne në kuadër të klinikës e kemi një ndërmjetësuese, e cila kryen një ndërmjetësim mes Qendrës për Punë Sociale, klinikës tonë dhe prindërve, dhe bashkëbisedon me ta, dhe sheh mundësinë në rast se eventualisht kanë mundësi ose ndërrojnë mendjen, dhe e pranojnë fëmijën, kemi raste të tilla që kemi arritur të bëjmë Bashkim familjar më prindërit biologjikë edhe pse kanë deklaruar, pas një kohe, një javë, bisedat me ndërmjetësuesit, me ne dhe me Qendrën për Punë Sociale, kemi arritur që prapë të bashkohet me familje, me prindërit biologjikë”, shprehet ai.
“Pasi foshnjat janë mirë në aspektin shëndetësor, ne në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale, I thërrasim dhe ata vijnë dhe kalon në përkujdesjen e saj të komunës prej nga vjen prindërit apo foshnja, pastaj kjo qendër e gjen një familje strehuese për atë foshnje, dhe pastaj pas një kohe varësisht nga situate, ku involvohet dhe gjykata, foshnja mund të kalojë në një strehim të përhershëm të ndonjë familje”, përfundon ai.
Gjatë tetë muajve të këtij viti, janë shënuar 23 raste kur prindërit kanë braktisur foshnjat e sapolindura, mirëpo shumica prej tyre kanë arritur të ribashkohen sërish me prindërit biologjikë.
“Gjatë muajit janar gjithsej i kemi pasur pesë raste, prej tyre tre foshnje kemi arritur ti kthejmë tek prindërit biologjikë, ndërsa dy kanë vazhduar në Qendrën për Punë Sociale në një familje strehuese, në shkurt dy raste, në mars dy raste, në prill tre raste, pesë në maj, në qershor dy, në korrik dy dhe në gusht dy, ndërsa në shtator ende nuk kemi ndonjë rast të deklaruar, deri në këtë moment i kemi pasur 23 raste 16 foshnje janë ribashkuar me prindërit biologjikë pas diskutimeve, ndërsa gjashtë foshnje tjera kanë vazhduar në Qendrën për Punë Sociale”, potencon ai.
Derisa ekipi i Arbresh.info po zhvillonte intervistën me drejtorin Morina, në këtë klinikë u lajmërua një rast i braktisjes së foshnjës.
Morina, tregon se klinika shpesh përballet me raste të rënda, ku nënat janë të moshës së mitur dhe përfshihet policia e gjykatat për hetimin e rrethanave.
Megjithatë, ai thekson se përkujdesja ndaj foshnjave nuk mungon.
“Kemi raste të tilla, ku kemi pasur nëna që kanë lindur dhe janë të moshës së mitur, janë raste më të rënda, normalisht janë me implikime ligjore dhe aty e kemi involvimin e policisë, ne e lajmërojmë policinë, pastaj gjykatat, në shqyrtimin e rrethanave, arsyet e shkaqet se si ka ndodhur”, shprehet ai.
“Djepi i Engjëjve” mbetet një kujtesë e gjallë se jo çdo fëmijë nis jetën me përqafimin e prindërve.
Por aty, mes kujdesit të mjekëve dhe përkushtimit të infermiereve, këto krijesa të vogla gjejnë dritën e shpresës. E ardhmja e tyre është ende e paqartë, por një gjë është e sigurt: çdo buzëqeshje e tyre mbart mesazhin se edhe në fillimet më të vështira, jeta meriton dashuri, ngrohtësi dhe një shans për të lulëzuar./Arbresh.info/Rita Jakupi/
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...
“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund t...
Protesta në mbështetje për UÇK-në në Shkup, reagon Mickovski
Buna nën dritën e hënës, Rama ndan imazhe mahnitëse të lumit
SHBA këshillon qytetarët e saj të largohen nga Venezuela “me...
Më pak se 1% import të energjisë nga Serbia