Dokumentari për dëshminë e Vasfije Krasniqi Goodman shpërblehet me çmimin “Motivues” në Japoni

19:45 | 12 Gusht 2025
E.G

Një dokumentar që sjell në dritë të vërtetën dhe dhimbjen e Kosovës gjatë luftës, përmes rrëfimit të mbijetueses së dhunës seksuale Vasfije Krasniqi Goodman, është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Motivues” nga një juri e shquar japoneze.

I prodhuar këtë vit nga transmetuesi publik japonez NHK, projekti u përzgjodh mes mbi 200 konkurrentëve në garë, duke marrë vlerësime të larta për mënyrën se si trajton një temë të ndjeshme me ndershmëri dhe guxim.

Vasfije Krasniqi, e para grua që ka folur publikisht në Kosovë për dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës, e cilësoi çmimin jo vetëm si një arritje personale, por si një dëshmi se historia dhe qëndresa e Kosovës mund të prekin zemrat e njerëzve edhe në anën tjetër të botës.

“Është një ndjesi e veçantë kur e vërteta e dhimbjes sonë arrin në zemër të një vendi kaq të largët sa Japonia. Për mua, është një nder që përvoja dhe zëri im u bënë pjesë e kësaj historie që sot i inkurajon të tjerët të flasin hapur”, tha ajo.

Në një reagim në Facebook, Krasniqi Goodman shtoi se ky çmim i dedikohet të gjitha viktimave të heshtura dhe plagëve ende të pashëruara.

“Ky çmim i dedikohet çdo zëri të heshtur, çdo plage që ende nuk është shëruar. Jam thellësisht mirënjohëse për mbështetjen tuaj të palëkundur gjatë viteve. Faleminderit që nuk më latë kurrë vetëm në këtë udhëtim”, shkroi ajo.

Ky vlerësim në Japoni është një tjetër dëshmi se rrëfimet e dhimbshme, kur tregohen me sinqeritet, mund të shndërrohen në histori frymëzuese për mbarë botën.

Të ngjashme