Përfundon protesta në Lipjan, kërkohet drejtësi për Agon Zejnullahun

11:42 | 12 Korrik 2025
E.K

Ka përfunduar protesta paqësore në Lipjan për 27-vjeçarin Agon Zejnullahu, i cili vdiq në rrethana të dyshimta më 7 korrik.

Dhjetëra qytetarë, përfshirë familjarë dhe miq të të ndjerit, u mblodhën para stacionit policor në Lipjan për të kërkuar drejtësi dhe transparencë institucionale lidhur me vdekjen e Zejnullahut.

Vëllai i Agonit, Alban Zejnullahu, tha se familja kërkon zbardhjen e plotë të rastit dhe jo heshtje nga institucionet, transmeton Arbresh.info.

“Drejtësi për Agonin. Të dashur pjesëmarrës, të gjithë ju që jeni sot këtu, me zemër plot dhimbje por me qëllim të pastër e paqësor, ju falënderoj për praninë tuaj. Sot nuk jemi mbledhur për urrejtje, sot jemi këtu për të kërkuar drejtësi, sot jemi këtu për Agonin, një djalë, një jetë, një zë që nuk mund të heshtet. Jemi këtu sepse drejtësia nuk është privilegj, por e drejtë. Jemi këtu sepse dhimbja e familjes së Agonit është dhimbje kolektive, sepse heshtja vret për herë të dytë. Agoni nuk është vetëm një emër, është simboli i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet”, tha ai.

Ai theksoi se drejtësia është e vetmja kërkesë e tyre./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Nis protesta para stacionit policor në Lipjan për rastin Agon Zejnullahu


Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme