Vritet në Spanjë këshilltari i ish-presidentit ukrainas Yanukovych

15:52 | 21 Maj 2025
E.G

Andriy Portnov, këshilltar i ish-presidentit prorus të Ukrainës, Viktor Yanukovych, është vrarë me armë zjarri të mërkurën në periferi të kryeqytetit spanjoll, Madrid, pak pasi i kishte dërguar fëmijët e tij në shkollë.

Një burim nga Policia Kombëtare Spanjolle e konfirmoi për njësinë hulumtuese të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Schemes, se 52-vjeçari – i cili ka shërbyer si zëvendëskryetar i zyrës presidenciale të Ukrainës nga viti 2010 deri në vitin 2014 – u vra në të shtënat me armë.

“Burime zyrtare konfirmojnë se viktima u qëllua disa herë teksa po hynte në makinë. Disa persona e qëlluan atë në shpinë dhe në kokë, pastaj u larguan nga vendngjarja në drejtim të një zone malore”, tha një zëdhënës i policisë.

Një burim në Drejtorinë Kryesore të Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës gjithashtu e konfirmoi vdekjen e Portnov për Schemes.

Njëra prej avokateve të Portnov, Hanna Kosinova, tha përmes telefonit se “nuk mund ta mohoj dhe as ta konfirmoj informacionin”.

Portnov ishte ndihmës i lartë i Yanukovych, i cili refuzoi ta nënshkruante marrëveshjen e asociimit të Ukrainës me Bashkimin Evropian – një vendim që shkaktoi protestat e përgjakshme të revolucionit në vitet 2013-2014 kundër anulimit të marrëveshjes me BE-në dhe korrupsionit të lartë në Qeveri.

Portnov, i cili është nën sanksione amerikane që nga viti 2021 për korrupsion të dyshuar, iku nga Ukraina në vitin 2014 dhe shkoi në Rusi. Thuhet se më pas u zhvendos në Austri. Nuk dihet se kur u zhvendos në Spanjë.

Në vitin 2019, policia ukrainase nisi një hetim ndaj Portnovit duke e akuzuar për pengim të punës profesionale të gazetarëve të REL-it, pasi kishte publikuar të dhënat personale të disa anëtarëve të njësisë hulumtuese, Schemes, dhe televizionit UA:Pershy, të cilët po hetonin lidhjet dhe marrëdhëniet e tij me zyrtarë aktualë të Qeverisë ukrainase.

Një vit më herët, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës e kishte hetuar atë për tradhti, për përfshirje të dyshuar në aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë nga Rusia. Rasti penal u mbyll në vitin 2019./rel

Të ngjashme