Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars nënshkruan një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, bashkëpunim ky i cili ka nxitur reagime në Serbi.
Ky bashkëpunim mes dy vendeve të NATO-s dhe Kosovës nuk po shihet si provokim për Serbinë nga njohësit e çështjeve të sigurisë.
Përkundrazi, eksperti i sigurisë, Drizan Shala për Arbresh.info shprehet se këtë bashkëpunim e sheh si një hap i natyrshëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal duke shtuar se kjo aleancë është në përputhje me interesat strategjike të NATO-s në rajon.
Sipas tij, reagimet në Serbi janë të pritshme.
“Reagimet e Serbisë janë të pritshme, pasi çdo bashkëpunim i Kosovës me vende të NATO-s është parë tradicionalisht me skepticizëm në Beograd. Megjithatë, kjo nuk duhet të shihet si një provokim, por si një hap i natyrshëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Në një kontekst më të gjerë, një aleancë e tillë është në përputhje me interesat strategjike të NATO-s në rajon dhe përmirëson kapacitetet e mbrojtjes kolektive”, thekson ai.
Shala tha se kjo marrëveshje i hap Kosovës mundësi më të mëdha për të përfituar nga përvoja, kapacitetet dhe standardet e aleancës së Atlantikut të Veriut.
Tutje, ai përmend arsyet pse një bashkëpunim i tillë është i rëndësishëm duke theksuar zhvillimin e FSK-së.
“Zhvillimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) – Partneriteti me dy vende të NATO-s mund të ndihmojë në modernizimin dhe aftësimin e mëtejshëm të FSK-së, duke e bërë atë më të gatshme për sfida të ndryshme të sigurisë. Rritja e stabilitetit rajonal – Një bashkëpunim më i ngushtë në fushën e mbrojtjes me dy vende fqinje rrit ndjenjën e sigurisë për Kosovën dhe kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm në Ballkan. Përmirësimi i perspektivës euro-atlantike – Kosova synon integrimin në strukturat euro-atlantike, dhe marrëdhëniet e ngushta me dy vende anëtare të NATO-s e afrojnë atë më shumë me këtë objektiv”, shprehet Shala.
Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi vlerëson se “Memorandumi” nuk paraqet kërcënim për Serbinë. Përkundrazi sipas tij, në nenet që janë transparente, askund nuk nënkuptohet se bëhet fjalë për një marrëveshje ofensive në drejtim të Serbisë.
Kajtazi, sqaron se ky është një memorandum, përmes të cilit shtetet nënshkruese synojnë t’i rrisin kapacitetet mbrojtëse duke koordinuar dhe bashkëvepruar në fushën e trajnimeve, stërvitjeve të përbashkëta, personelit ushtarak dhe industrisë ushtarake.
“I vetmi provokim për mendësinë primitive të ideologjisë serbe të gjenocidit mund të jetë fakti se këto shtete po përgatiten që t’ia vështirësojnë punën Serbisë për t’i shfarosur shqiptarët në momentin kur ajo të krijojë rrethana të përshtatshme”, thotë mes të tjerash Kajtazi.
Lidhur me këtë, për Arbresh.info ka folur edhe një zyrtar i NATO-s ,i cili tha se e kanë marrë parasysh këtë iniciativë.
Ai vlerëson kontributin e Shqipërisë dhe Kroacisë për stabilitetin rajonal.
“Shqipëria dhe Kroacia janë kontribuues të gjatë për stabilitetin rajonal në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë përpjekjet e tyre brenda kuadrit të misionit të KFOR-it të drejtuar nga NATO. Në lidhje me iniciativën e përmendur, ne e kemi marrë parasysh atë. Ju drejtoj tek institucionet në Kosovë dhe tek autoritetet shqiptare dhe kroate për çdo koment të mëtejshëm në këtë drejtim”, tha ai në një përgjigje për Arbresh.info.
Nënshkrimi i deklaratës vjen në kohën kur Kosova po vazhdon procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe disa ditë pasi Maqedonci shpalosi detaje të një nisme për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Shteteve të Bashkuara. /Arbresh.info/Erolinda Gashi/
Ministrja Rizvanolli mban konferencë për media mbi sektorin ...
Policia ndalon një automjet në Çagllavicë, kapet kosovari dh...
Gruaja e lënduar dërgohet dy herë në spitalin e Mitrovicës d...
Dita e ndeshjes: Prishtina 01 synon çerekfinalen në Ligën e ...
SHBA godet një tjetër anije që transportonte drogë, vriten 4...
Një i vdekur, 24 të lënduar dhe 2,147 tiketa të shqiptuara n...