Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Deklarata e nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes së të tri shteteve, kërkon forcimin e bashkëpunimit trepalësh dhe rëndësinë e reagimit të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.
Një zyrtar i NATO-s për Arbresh.info tha se e kanë marrë parasysh këtë iniciativë të tri vendeve ballkanike duke mos e komentuar më gjatë këtë partneritet.
Megjithatë, NATO vlerëson kontributin e Shqipërisë dhe Kroacisë për stabilitetin rajonal.
“Shqipëria dhe Kroacia janë kontribuues të gjatë për stabilitetin rajonal në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë përpjekjet e tyre brenda kuadrit të misionit të KFOR-it të drejtuar nga NATO. Në lidhje me iniciativën e përmendur, ne e kemi marrë parasysh atë. Ju drejtoj tek institucionet në Kosovë dhe tek autoritetet shqiptare dhe kroate për çdo koment të mëtejshëm në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e NATO-së në një përgjigje për Arbresh.info.
Deklarata përfshin, siç raportoi Radio Televizioni Kroat, promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprimit nëpërmjet edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve, kundërvënien e kërcënimeve hibride, si dhe mbështetjen e plotë për integrimin euro-atlantik.
Deklarata lë të hapur mundësinë për vende të tjera për t’iu bashkuar asaj.
Pas kësaj deklarate trepalëshe të bashkëpunimit, Ministria serbe për Punë të Jashtme tha se do të kërkojë urgjentisht shpjegime të detajuara nga ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë.
Sipas Beogradit, Shqipëria dhe Kroacia me nënshkrimin e këtij dokumenti, “ndërmorën hapa që minojnë stabilitetin rajonal”.
Autoritetet në Beograd, që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, thanë se kjo nismë paraqet “provokim të hapur dhe shpërfillje të madhe të realitetit në terren”./Arbresh.info/Erolinda Gashi/
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jas...
Qeveria në detyrë ndan mbi 141 mijë euro për projekte me OKB...
Putin paralajmëron nga Nju Delhi: Zgjerimi i NATO-s kërcënon...
Ambasada gjermane: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funk...
Ministrja Rizvanolli mban konferencë për media mbi sektorin ...