Ky përvjetor e gjen vendin me vota të pa numëruara nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Vendi ka mbetur me një qeveri në ikje, e cila udhëhiqet nga kryeministri, Albin Kurti, i cili përkundër fitores në këto zgjedhje, votat që partia e tij, Vetëvendosje mori nuk po i mjaftojnë për krijimin e Qeverisë.
Nga numërimi i 95 për qind të votave, pa ato me kusht dhe të Diasporës, Vetëvendosja ka arritur të sigurojë ulëset për 47 deputetë, një numër i pamjaftueshëm ky për formimin e një qeverie stabile, raporton Arbresh.info.
Partia e dytë është radhitur Partia Demokratike e Kosovës, e treta Lidhja Demokratike e Kosovës dhe e katërta koalicioni mes AAK-së dhe Nisma-së.
Vlen të përmendet se PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur kategorikisht kundër një koalicioni të mundshëm me partin e Kurtit.
Ndërsa, LDK-ja është shprehur se është në pritje të numërimit të plotë të votave përpara se të dalë me një qëndrim politik.
“Kemi dallime të mëdha, ata duan pushtet absolut, s’kanë as program dhe gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi edhe në studiot televizive. Ata i ofenduan kundërshtarët politikë, edhe me këtë edhe qytetarët”, deklaroi kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza, pasi partia e tij u radhit e dyta në këto zgjedhje.
Kurse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në konferencën e parë pas zgjedhjeve tha se më shumë është për një qeveri të koalicionit me opozitën, sesa me partinë që aktualisht udhëheq shtetin.
“Ne e shohim që në këtë politikë që e kam udhëheq si ndaj mashtruesit që e udhëheq Kosovën, pra qeverisë mashtruese, mendoj që është në nderin tim që të ndihmoj një qeveri të opozitës e assesi koalicion me VV-në”, kishte thënë Haradinaj.
Por, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim rreth mundësisë apo jo të një koalicioni me VV-në.
“Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura, sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do t’i ofrojë qëndrimet e veta politike”, ishte shprehur Abdixhiku në Facebook.
Ajo që ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni pas zgjedhor me partitë opozitare, ka qenë Lëvizja Vetëvendosje, e cila për këtë cështje nuk është deklaruar ende pas zgjedhjeve.
Përkundër fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje pësoi humbje të mbështetjes për gati 10%, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Rezultatet preliminare për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë krijojnë paqartësi për përbërjen e re në Kuvend, por edhe të ekzekutivit të ri.
Sipas të dhënave deri më tani, LVV ka 47 deputetë; PDK 25 deputetë; LDK 20 deputetë; AAK 8 deputetë; Lista Serbe 9 deputetë; Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë 1 deputet dhe komunitetet jo serbe 10 deputetë.
A është e domosdoshme Lista Serbe për krijimin e Qeverisë?
Lista Serbe ka fituar 3.98 për qind të votave, që nënkupton shumicën e votave të komunitetit serb në garë me pesë subjekte të tjera politike që garuan për votat e këtij komuniteti.
Tensionet e shpeshta në veri të Kosovës që nga viti 2022 e deri në zgjedhjet e sivjetme, e kanë pozicionuar Listën Serbe si kundërshtare të Qeverisë aktuale të Albin Kurtit.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit për përbërjen e re parlamentare garuan 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.
Të drejtën për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë kishin 1 milion e 970 e 944 persona, prej të cilëve kanë marrë pjesë rreth 40 për qind.
Pjesëmarrja në votim shënoi rënie në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, kur votuan mbi 48 për qind e personave me të drejtë vote.
Për herë të parë kanë votuar 125 mijë votues të rinj.
Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ishin të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Shaqiri realizon gol në fitoren e Baselit
Gjendet trupi i pajetë i një gruaje në lumin e fshatit Graba...
KQZ mban sot mbledhje, ky është rendi i ditës
Nesër ndërpritet furnizimi me ujë në Bregun e Diellit
Lando Norris, kampioni i botës në Formula 1
116 për VV-në, Kurti: Me qytetarët drejt një fitoreje edhe m...