“Premtimet në fushata si në përralla”/Ekonomistët: Premtimet e partive politike të jenë brenda kufijve të buxhetit

10:51 | 26 Janar 2025
E.H

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, partitë politike kanë hedhur dritë mbi programet e tyre qeverisës, për katër vitet e ardhshme.

Çdo subjekt politik, duke i dhënë formë vizionit të tij, ka vënë theksin te një zhvillim ekonomik si dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve.

Por, sa janë reale dhe sa mund të realizohen këto premtime, na tregojnë njohësit e çështjeve ekomomike në vend.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa për Arbresh.info thekson se realizimi i premtimeve të partive politike brenda kufijve të buxhetit aktual prej 3.9 miliardë euro është i pamundur.

Ai shpjegon se të gjitha premtimet për projekte ekonomike duhet të kenë mbulesë financiare dhe se duhet të sigurohen mjetet për realizimin e tyre.

“Realizimi i premtimeve të partive politike brenda kufijve të buxhetit aktual në vlerë prej 3.9 miliardë euro, në bazë te këtij buxheti është e pamundur që realizohen këto premtime. Duhet theksuar se të gjitha premtimet për projekte ekonomike duhet të kenë mbulesë financiare dhe nga sigurohen mjetet financiare për ato projekte”, pohon ai.

Sipas tij, për të realizuar reforma të thella energjetike dhe ekonomike në sektorët kyç, duhet të gjenden modalitetet e duhura për realizimin e këtyre projekteve.

“Nëse bëhen reforma të thella energjetike, ekonomike ne sektorët strategjik të ekonomisë këto projekte duhet te gjetet modaliteti i realizimit të këtyre projekteve qoftë për ndërtimin e një termocentrali te ri, gjithashtu edhe në projektet infrastrukturore me partneritet publiko – privat, duhet te theksohet se çdo projekt i premtuar duhet te ketë arsyeshme ri ekonomike duhet te ketë një plan fizibiliteti dhe të prezantohet në mënyrë skematike dhe publikisht ne bazë të një ekspertize ekonomike të detajuar dhe duke u bazuar ne faza kohore të realizimit”, thotë ai.

Sa i përket premtimeve për rritje pagash dhe koeficientesh, Bellaqa shton se këto nuk duhet të jenë thjesht premtime, por zotime të qarta, të cilat duhet të shpjegojnë burimet financiare që do të sigurohen për realizimin e tyre

“Ndërsa premtimet për rritje të pagave prej 50% dhe rritje te koeficientit prej 150 euro, këto nuk duhet të jenë premtime por zotime nëse janë zotime dhe duhet të paraqesin se nga janë burimet apo nga sigurohen burimet financiare detajisht dhe në mënyrë skematike dhe publikisht dhe të krijojnë balancë socio ekonomik dhe të kenë politika sociale progresive dhe politika të avancuar të Pagave qe ekonomitë familjare te jenë zhvillimore”, përfundon ai.

Mulaj: Me buxhetin aktual prej 3.9 miliardë eurosh, nuk mund të mbulojë të gjitha premtimet e partive politike

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj ka thënë se çdo premtim duhet të mbështetet në analiza të thella buxhetore dhe në mundësitë reale të zbatimit

Ai ka sugjeruar se çdo premtim duhet të mbështetet në analiza të thella buxhetore dhe të pasqyrojë mundësitë reale të zbatimit

“ Është e qartë që buxheti aktual prej 3.9 miliardë eurosh nuk mund të mbulojë të gjitha premtimet e partive politike, veçanërisht kur këto premtime zakonisht përfshijnë plane për katër vite dhe shpesh tejkalojnë mundësitë financiare reale. Përkundër kësaj, është pozitive që partitë kanë plane për projekte, edhe pse mbetet sfida e prioritizimit dhe menaxhimit efikas të fondeve. Për të qenë realist, çdo premtim duhet të mbështetet në analiza të thella buxhetore dhe mundësitë reale të zbatimit”, thotë ai.

E sa i përket se cila parti ka një program më të mirë, analisti politik, Arbnor Sadiku thotë se programi ekonomik më i mirë është i opozitës.
Sadiku për Arbresh.info thotë se në fushën e diplomacisë, opozita ka ofertën më të mirë dhe sipas tij, do të vepronte më mirë se Gërvalla.

“Programin me te mirë ekonomik e ka opozita LDK dhe PDK, dhe mendoj qe puna e tyre ne te kaluarën jep shpresë edhe për rezultate në të ardhmen, qe do realizojnë premtimet elektorale. Mendoj që këtë pjesë LDK-ja ka planin më të mire duke pas parasysh punën qe po bën ne Komunën Prishtinës me mësimin terë ditor, të njëjtat reforma i kane premtuar edhe ne qendër. Opozita në përgjithësi ka ofertën me te mirë sa i përket politikës së jashtme, dhe do operonin me mirë se Gërvalla, kush do qe do me marr ketë resor, LDK,PDK, AAK-Nisma, apo edhe e Lista Familja. Kujtoj ne 35 vitet e fundit kur Kosova si ka pas raportet e këqija me BE-në dhe SHBA-në, sesa ne 4 vjetorin e Qeverisë Kurti. Është nën sanksione te BE-së, dhe nuk dëgjohej zëri saj nga SHBA-ja”, thotë Sadiku.

Premtimet e partive politike këtë fushatë

Programi zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) është mbështetur kryesisht në rritjen e fuqisë ushtarake të Kosovës, duke përfshirë blerjen e helikopterëve për ushtrinë dhe ndërtimin e një fabrike municionesh.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e udhëhequr nga kandidati për kryeministër Bedri Hamza, ka bazuar programin e saj qeverisës në përmirësimin e mirëqenies sociale dhe zhvillimin ekonomik. Ky program përfshin rritjen e pagave me 50% dhe pensioneve me 70%, sigurimin falas të barnave për pacientët me sëmundje kronike dhe krijimin e Fondit Shtetëror të Bursave prej 25 milionë eurosh në vit për studentët.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka vlerësuar ekonominë si prioritet kryesor të qeverisjes së saj, duke premtuar rritje të koeficientit të pagave për punëtorët në sektorin publik, ndërtimin e një termocentrali me gaz dhe një spitali. Kryetari Lumir Abdixhiku ka theksuar angazhimin për modernizimin e arsimit me tabela digjitale dhe mësim gjithë ditor, duke e përqendruar modelin e qeverisjes në përmirësimin e arsimit dhe shërbimeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Partia Demokratike e Kosovës që përveç deklaratave të bëra, plan programin e tyre qeverisës e kanë të publikuar edhe në Web faqen e partisë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka bazuar zhvillimin ekonomik në mbështetjen e rinisë dhe fuqizimin e bizneseve të reja, duke krijuar një fond prej 500 milionë eurosh për këtë qëllim. Programi i saj përfshin gjithashtu investime në energjetikë me ndërtimin e një termocentrali të ri dhe rritje të pagës minimale të pensioneve, të cilat nuk do të jenë më të ulëta se 500 euro.

Koalicioni “Lista për Familje” e ka bazuar programin zgjedhor në mbështetjen e familjeve dhe rritjen e natalitetit, duke propozuar ndihma financiare për nënat deri në 1,000 euro në muaj, varësisht nga numri i fëmijëve.

Ndryshe, premtime të ngjashme për ndryshime ka pasur edhe më herët, por mbetet për t’u parë se sa prej këtyre do të jetësohen kësaj radhe.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të garojnë mbi 1.200 kandidatë, prej të cilëve do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit, dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti i Vetëvendosjes, aktualisht në pushtet, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme