Binjakët e porsalindur u vranë të martën nga një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës derisa babai i tyre ndodhej në qendrën komunale për t’i regjistruar ata.
Asser, djalë, dhe Ayssel, vajzë, ishin vetëm katërditor kur babai i tyre Mohammed Abu al-Qumsan, shkoi për t’i marrë certifikatat e lindjes së tyre.
Derisa ai nuk ndodhej aty, fqinjët i telefonuan për t’i treguar se shtëpia e tij në Deir al Balah ishte bombarduar.
Në sulm u vranë edhe bashkëshortja e tij dhe gjyshja e binjakëve.
“Nuk e di çfarë ndodhi. Më thanë se ishte një predhë që goditi shtëpinë”, tha ai.
“Nuk pata kohë as t’i gëzohem lindjes së tyre”, shtoi ai.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 115 foshnje të porsalindura janë vrarë në këtë vend prej se nisi lufta.
Ushtria izraelite thotë se përpiqet ta shmangë dëmtimin e civilëve palestinezë dhe për vdekjen e tyre e fajëson Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – duke thënë se militantët e tij veprojnë në zonat e banimit, nganjëherë duke u strehuar në mesin e civilëve dhe duke kryer sulme nga shtëpi, shkolla, xhami dhe ndërtesa të tjera civile.
Megjithatë, ushtria rrallëherë komenton për sulmet individuale, si pasojë e të cilave vriten shpesh fëmijë dhe gra.
Izraeli thotë se synimi i tij është ta shkatërrojë Hamasin, pas sulmit të 7 tetorit, në të cilin militantët nga Gaza u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë 1.200 njerëz, si dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Pas një rundi këmbimesh në nëntor, Izraeli thotë se edhe 111 pengje po mbahen në Gazë, përfshirë trupat e pajetë të 39 pengjeve.
Lufta e Izraelit në Gazë prej atëherë i ka lënë të vdekur rreth 40.000 palestinezë dhe më shumë se 91.700 të tjerë të plagosur, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavë.
Më shumë se 1.9 milion e popullsisë së përgjithshme prej 2.3 milionë banorësh e Gazës së paraluftës janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, duke u zhvendosur vazhdimisht nëpër territorin e vogël për t’i ikur luftës./rel/
Përfshihet nga flakët një automjet në Kaninë, dyshohet për s...
Riquelme synon ta sjellë Kloppin te Real Madridi
Krizë humanitare në Liban, OKB ngre alarmin për 1.4 milionë ...
Çeku dhe Bogujevci presin finalistët e Olimpiadës Kosovë–Shq...
Gjiganti ukrainas ofron afro 1 milion euro për kartonin e Lu...
Në kërkim ndërkombëtar për narkotikë, ekstradohen në Tiranë ...