Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, vazhdon me vendosmëri thirrjet për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit. Nga Pika e Kalimit Kufitar e Kakavijës ku mori pjesë në një aktivitet në krah të të Ngarkuarit me Punë të SHBA në Tiranë David Wisner, ministri Balla deklaroi se ka ardhur koha që çdo punonjës i Policisë së Shtetit të zgjedhë mes uniformës, zbatimit të ligjit apo bashkëveprimit me krimin.
“Procesin e vetëpastrimit në Policinë e Shtetit duhet ta vazhdojmë çdo ditë në mënyrë sistematike, për ta çuar këtë proces në një nivel tjetër. Sepse në një nivel tjetër duhet të çojmë besueshmërinë e qytetarëve shqiptarë tek Policia. Sa më shumë luftojmë korrupsionin brenda policisë së Shtetit, aq më shumë rritet besimi i qytetarëve”, theksoi Balla nga Gjirokastra.
Duke iu drejtuar forcave kufitare në jug të vendit, ministri u ndal tek rasti i arrestimit të një zyrtari policie në Kapshticë.
“Para pak ditësh AMP në bashkëpunim me Prokurorinë goditën një rast që nuk është i vetëm, brenda nesh, që me uniformën e Policisë së Shtetit bashkëpunonte me krimin në trafik të lëndëve narkotike. Do të jemi shumë të fortë, shumë të ashpër për të luftuar këtë fenomen në Policinë e Shtetit në gjithë këto vite, pa asnjë tolerancë sepse synimi ynë është që ta bëjmë Policinë e Shtetit institucionin më të besuar në këtë vend”, ishte thirrja e ministrit Balla.
Një ditë më parë, ministri Balla firmosi urdhrin që ka bashkëlidhur formularin për vetëdeklarim të çdo punonjësi policie, nëse ka patur akses në aplikacionet SKY ECC/Encro Chat./rtsh.al
Rama: Vijojmë punën për të liruar hapësirat publike të zaptu...
AAK ngre alarm për probleme teknike në regjistrimin e votues...
Malisheva vazhdon fitoret, mposht edhe Drenicën
Zjarre të forta në Australi, deri në 16 shtëpi të shkatërrua...
“I turpshëm” – Provokimi me flamurin rus, Zotëria i Parë e q...
SHBA dhe Ukraina kërkojnë nga Rusia “përparim” në bisedimet ...