Sot shënohet 4-vjetori i tërmetit tragjik në Shqipëri të ndodhur më 26 nëntor 2019, ku humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mijëra të tjerë.
Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave duke lënë pa strehë qindra familje shqiptare.
Ishte ora 03:56, kur një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda me epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit goditi Shqipërinë.
Lëkundjet e tokës, të cilat u ndjenë në disa qytete, shkatërruan shtëpi, pallate, shkolla, ndërsa për orë të tëra ekipet e kërkim-shpëtimit kërkonin për të mbijetuarit të ngecur në rrënoja.

11 bashki u prekën, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë në vend, Tirana dhe Durrësi.
Pasojat u ndjenë, gjithashtu, në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës dhe Mirditës.
Tërmeti preku 202 mijë persona. Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se 40 vjet.
Dëme u shënuan kryesisht në qytetin e Durrësit dhe fshatin e Kodër-Thumanës, të cilat ndodheshin afër epiqendrës së tërmetit.
Hotele dhe pallate u shembën në Durrës, katër ndërtesa, përfshirë një pallat 5-katësh u shembën në Kodër-Thumanë e cila u godit më rëndë nga tërmeti.

Qyteti i Laçit u dëmtua gjerësisht. Gjendja e jashtëzakonshme që do të zgjaste 30 ditë u shpall nga qeveria shqiptare për Durrësin, Thumanën dhe Tiranën e më vonë u zgjerua për Laçin dhe Lezhën.
Tërmeti u ndoq nga pasgoditje të cilat shkaktuan frikë për ditë me radhë midis qytetarëve.

Qindra ushtarë shqiptarë dhe rreth 2.000 oficerë policie u dërguan në zonat e prekura nga tërmeti. Ata u ngarkuan me detyrën e ndihmesës në operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe në ngritjen e çadrave dhe kampeve të strehimit për njerëzit e mbetur tashmë pa shtëpi. 300 çadra emergjencash u ngritën pranë stadiumit të Durrësit dhe në Thumanë për të strehuar rreth 1.000 persona.
Të paktën 45 persona u nxorën të gjallë nga rrënojat. Sipas informacioneve, 25 persona humbën jetën në Durrës, 25 në Thumanë dhe 1 në Lezhë. Midis viktimave ishin dhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç./tch
Paralajmërimi i ambasadës së SHBA-së, MIA: S’ka informacione...
“Do ngremë kompaninë publike për naftën”, Rama: Do të futemi...
48-vjeçari shqiptar dënohet me 25 vjet burg për trafikim dro...
Oferta të ndryshme për Lewandowskin, ndër to edhe Barça
Furnizoi me naftë avionët amerikanë, Irani paralajmëron Bull...
Familjarët mbushin gjykatën në Greqi për tragjedinë e rëndë ...