Dyzet shqiptarë – mes tyre shtetas nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut – u evakuuan mbrëmjen e së dielës nga Izraeli në Shqipëri, bëri të ditur Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë.
Izraeli shpalli gjendje lufte, pasi u sulmua nga militantët palestinezë të Hamasit më 7 tetor.
Në përgjigje, ushtria izraelite nisi bombardimin nga ajri të Rripit të Gazës.
Mbi 1.000 njerëz u raportuan të vrarë nga të dyja palët.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë tha se evakuimi i 40 shqiptarëve është bërë pas kërkesës së tyre për t’u larguar nga Izraeli.
Zyrtarë të saj konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se në mesin e tyre janë dy nga Kosova dhe nëntë nga Maqedonia e Veriut.
“Në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Avivit, ndërkohë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në koordinim edhe me ministritë simotra të vendeve të rajonit për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre”, tha kjo ministri pas mbërritjes së avionit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, mbrëmjen e së dielës.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua gjatë ditës Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, në lidhje me shtetasit e Kosovës në Izrael dhe evakuimin e tyre të mundshëm, por nuk mori përgjigje.
Më herët, përmes një videoje në rrjetet sociale, ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, tha se po bëhet gjithçka e mundur për t’i larguar nga Izraeli shtetasit shqiptarë.
“Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael, por në emër të Qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë sonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite, po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë. Ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës, si dhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut”, tha ambasadorja Kumbe.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë vuri në dispozicion numrin +972 54 904 2813 për të gjithë qytetarët shqiptarë që ndodhen në Izrael dhe kanë nevojë për informacione për largimin e tyre prej andej./rel
Vuçiq përballet me presion në rritje pas protestave studento...
KFOR-i riafirmon përkushtimin për sigurinë në Kosovë
Keith Self: Të zbatohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni...
Të shtëna me armë në Breg të Diellit, Policia konfirmon vdek...
Aksident në hyrje të tunelit të Kalimashit, raportohet për t...
Krisma armësh në Prishtinë, dyshohet për një të plagosur