Është rritur në 63 numri i të vdekurve nga zjarri që kaploi një ndërtesë shumëkatëshe të enjten në Johanesburg, qytetin më të madh të Afrikës Jugore, njoftuan autoritetet.
Shërbimi Emergjent i Johanesburgut tha se më shumë se 40 persona të tjerë u lënduan nga zjarri, i cili shpërtheu në orët e hershme të 31 gushtit.
“Aktualisht i kemi 63 të vdekur. Kurse janë edhe 43 të lënduar, të cilët janë dërguar në qendra të ndryshme spitalore”, tha Robert Mulaudzi, zëdhënës i Shërbimit Emergjent.
Mulaudzi bëri të ditur se zjarri tashmë është shuar dhe se operacioni i kërkimit është duke u zhvilluar në ndërtesën e nxirë në qendër të Johanesburgut.
Në mesin e viktimave është edhe një fëmijë, theksoi ai.
“Po shkojmë nga kati në kat për t’i tërhequr trupat. Kjo është një ditë e trishtueshme për qytetin e Johanesburgut. Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë gjatë 20 vjetëve sa jam në shërbim”, theksoi Mulaudzi.
Ende nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin, ndërkohë që njerëzit nga ndërtesa janë evakuuar plotësisht tashmë.
Mulaudzi theksoi se ndërtesa ishte “një vendbanim joformal” ku njerëzit e pastrehë ishin vendosur në kërkim të akomodimit pa ndonjë marrëveshje kontrate formale. Sipas tij, kjo e ka bërë të vështirë kërkimin e njerëzve në këtë objekt.
Në ndërtesë mund të kenë qenë duke jetuar rreth 200 njerëz, sipas dëshmitarëve.
Uzurpimi i jashtëligjshëm i ndërtesave të papërdorura në qendër të qytetit është i madh dhe thuhet se shumë prej tyre janë nën kontrollin e sindikatave kriminale, të cilët marrin qira nga banuesit.
Në qershor, zjarri në një ndërtesë të vjetruar në Johanesburg la të vdekur dy fëmijë nën moshën 10-vjeçare, të cilët kishin mbetur të ngujuar në një banesë./rel
Detaje të reja nga vrasja e trefishtë në Mal të Zi, policia ...
Reagon Albulena Haxhiu: Burgimi i përjetshëm, përgjigje e fo...
Sipas Sky Sport, Slot pritet të vazhdojë edhe për një sezon ...
Trumpi thotë se nuk dëshiron ta zgjasë armëpushimin me Irani...
Ambasadori amerikan në NATO mbërrin në Kosovë, Ambasada jep ...
Rama: Siguria ushqimore, sfida më komplekse e procesit të in...