Autoritetet policore njoftuan se nëntë persona mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë, mëngjesin e së martës, në Denver të Kolorados, në një zonë ku tifozët e basketbollit ishin mbledhur për të festuar fitoren për herë të parë të kampionatit të basketbollit NBA, nga ekipi Nuggets.
Policia arrestoi autorin e dyshuar për ngjarjen, që gjithashtu kishte mbetur i plagosur.
Autoritetet dyshojnë se të shtënat erdhën pas përplasjeve mes dhjetëra personave, rreth 1.5 kilometra larg stadiumit “Ball Arena”, ku ekipi Nuggets fitoi titullin e parë të Kampionatit të Federatës Kombëtare të Basketbollit, pasi arriti të mundë kundërshtarët e Miami Heat, të hënën në mbrëmje.
Policia e Denverit njoftoi se të shtënat u regjistruan rreth orës 12.30 pas mesnate, rreth tri orë e gjysmë pas ndeshjes, dhe se tre prej të plagosurve ishin në gjendje të rëndë shëndetësore.
Autori i dyshuar ishte mes personave që u plagosën, por plagët e marra nuk paraqesin rrezik për jetën e tij.
“Po vazhdojmë hetimet mbi shkaqet që mund të kenë çuar në përshkallëzimin e situatës deri në përdorimin e armëve”, tha zëdhënësi i policisë, Doug Schepman.
“Ndodhi në një zonë ku ishin mbledhur një numër shumë i lartë tifozësh për të festuar”, shtoi ai. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarë të ngjarjes dhe zëdhënësi foli gjithashtu për zgjerim të rrethit të hetimeve.
Tetë persona janë shtruar në spitalin “Denver Health Medical Center”; një është në gjendje kritike për jetën, një në gjendje të qëndrueshme dhe gjashtë në gjendje të mirë, tha zëdhënësja e spitalit Heather Burke./VOA/
Celta Vigo ia thellon krizën Real Madridit, e mposht midis &...
Napoli fiton derbin me Juventusin – vazhdon lidershipi...
Pse vitamina D ndonjëherë nuk vepron? Ndoshta po e merrni në...
A mund të mbahen larg rrjeteve sociale? Australia po e bën, ...
Si ndikon muzika e preferuar në trurin tonë: Efekti i nostal...
Elezi: 15 subjekte dorëzojnë listat me 541 kandidatë për dep...