Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se SHBA-të rihapën ambasadën e tyre në Kiev të mërkurën, pasi e mbyllën atë për tre muaj për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
“Populli ukrainas, me ndihmën tonë të sigurisë, kanë mbrojtur atdheun e tyre përballë pushtimit të pajustifikuar të Rusisë dhe, si rezultat, Yjet dhe Shiritat po valëviten përsëri mbi ambasadë”, deklaroi Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken.
“Ne qëndrojmë me krenari përkrah, dhe vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Ukrainës, teksa ata mbrojnë atdheun e tyre nga lufta dhe agresioni brutal i Kremlinit”.
Departamenti Amerikan i Shtetit mbylli ambasadën në Kiev më 14 shkurt, 10 ditë përpara se trupat ruse të kalonin kufirin, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Ukrainës dhe për të instaluar një tjetër në përputhje me politikën e Moskës.
Diplomatët amerikanë vazhduan të ofronin shërbime nga qyteti perëndimor i Lvivit, ndonjëherë duke qëndruar gjatë natës në Poloninë fqinje për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.
Kthimi në Kiev erdhi disa javë pasi forcat ukrainase mposhtën përpjekjet ruse për të marrë kontrollin e Ukrainës veriore dhe kryeqytetit, ndërsa lufta u përqendrua në lindje dhe jug të vendit.
“Teksa ndërmarrim këtë hap të rëndësishëm, ne kemi paraqitur masa shtesë për të rritur sigurinë e kolegëve tanë që po kthehen në Kiev dhe kemi përmirësuar masat dhe protokollet tona të sigurisë”, tha Blinken./REL/
Tifozët e Mallorcas i dedikojnë një pankartë gjigante Vedat ...
Arrestohet një grua në Pejë, dyshohet se vodhi nga sefi 176 ...
Trump i kërkon Iranit lirimin e grave të dënuara me vdekje
Kaja Kallas: Pres zhbllokimin e kredisë për Ukrainën në 24 o...
Ndryshime të mëdha te Barcelona – këta janë pesë yjet që pri...
KDI: Dëgjimi publik për Projektligjin për Byronë nga sot për...