Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se shteti i Kosovës gjatë ditës së djeshme i ka marrë dy goditje të rënda, duke i kërkuar kështu kryeministrit, Albin Kurti, të jap dorëheqje.
“Dje është nënshkruar një marrëveshje që e kthen Kosovën 10 vjet prapa dhe është refuzuar projekti i gazsjellësit amerikan, me të cilin rrezikohet edhe Kosova edhe interesat amerikane në Ballkan”, deklaroi Haradinaj para medieve.
Sipas tij, me marrëveshjen e djeshme pala kosovare është pajtuar që njësitë elite të policisë së Kosovës, të trajtohen njëjtë sikur bandat kriminale në veri.
Haradinaj refuzimi i gazsjellësit amerikan nga ana e Qeverisë ndaj këtij projekti të interesit gjeostrategjik e gjeopolitik për Kosovën është goditje e drejtpërdrejt ndaj shtetit, partneritetit Kosovë-ShBA dhe interesave amerikane në Ballkan.
Fjalimi i plotë i Haradinajt në konferencë për medie:
“Shteti i Kosovës gjatë ditës së djeshme i ka marrë dy goditje të rënda. Më të rëndat që nga shpallja e pavarësisë. Dhe këto goditje kanë ardhur jo nga jashtë, jo nga armiqtë tanë, po nga kolona e pestë e Shtetit të Kosovës. Nga një Qeveri dhe një Kryeministër kukull e i papërgjegjshëm.
Dje është nënshkruar një marrëveshje që e kthen Kosovën 10 vjet prapa dhe është refuzuar projekti i gazsjellësit amerikan, me të cilin rrezikohet edhe Kosova edhe interesat amerikane në Ballkan.
Me marrëveshjen për targat, Albin Kurti e ka goditur fort sovranitetin e vendit dhe karakterin unitar të shtetit.
Ka vendosur që t’i rikthejë targat ilegale të Serbisë, të cilat i kemi pas hequr këtu e 10 vjet më parë.
Ka vendosur që territorin e veriut të Kosovës, ta trajtoj ndryshe nga pjesa tjetër e Shtetit, dhe nuk e ka këtë të drejtë. Sepse nuk ia lejon as Kushtetuta e as Populli.
Është pajtuar që njësitë elite të policisë së Kosovës, të trajtohen njëjtë sikur bandat kriminale në veri. Tërheqjen e këtyre bandave e ka njëjtësuar me tërheqjen e policisë së Shtetit.
Është pajtuar që t’i tërheqë njësitë policore nga një e katërta e territorit të vendit, dhe këtë kompetencë t’ia kalojë KFOR-it, që ka mandat ushtarak dhe jo civil të ruajtjes së rendit e të sigurisë së brendshme dhe kështu ta kthejë Kosovën në kohën parapavarësisë.
Ky njeri e ka bërë hisedar Serbinë dhe ka pranuar t’i negociojë me të punët e brendshme të Kosovës.
Për të mos ngelur vetëm me kaq, ky njeri po ditën e djeshme ka marrë vendimin më antishqiptar e më antiamerikan në historinë e Kosovës.
Ka vendosur t’i thotë Jo gazsjellësit amerikan.
Refuzimi i Qeverisë ndaj këtij projekti të interesit gjeostrategjik e gjeopolitik për Kosovën është goditje e drejtpërdrejt ndaj shtetit, partneritetit Kosovë-ShBA dhe interesave amerikane në Ballkan.
Është hapje e derës për gazin rus dhe për Rusinë.
Hala më keq, ky kryeministër me sejmenët e tij, i kanë dhënë të drejtë vetes edhe me njollosë këtë projekt duke e cilësuar atë si projekt RUS. Do të thotë Amerika i paska dhënë 200 milionë për ta sjellë Rusinë në Kosovë.
Edhe marrëveshjen për targat edhe me JO-në për gazsjellësin amerikan, ky njeri ka nisur epokën anti-Kosovë dhe anti-Amerikë, por ju siguroj se nuk do të ketë sukses.
Kam një pyetje edhe për Presidenten e vendit. Pse po hesht për refuzimin shtetëror të projektit amerikan te gazsjellësit. Kjo heshtje e bën këtë goditje edhe më të dhimbshme dhe frikësuese.
Jo më shumë se 2 javë më parë, ajo pat thënë se: “Kosova s’ka refuzim. Kosova s’mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-të”.
E çka ndodhi tash. Sqarojeni popullin kah jeni nisur.
Të nderuara media, të nderuar qytetarë të Kosovës,
Albin Kurti me dy veprimet e fundit e ka rrezikuar Shtetit e Kosovës. E ka rrezikuar partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara. E ka shkelur betimin e tij si kryeministër për mbrojtje të sovranitetit të vendit.
Ky njeri i ka plotësuar të gjitha kushtet të japë dorëheqje. Mbetja e tij në këtë detyrë qoftë edhe për një ditë të vetme, është e dëmshme dhe e rrezikshme për Republikën e Kosovës.
Unë me kohë e kam vërejtur se është mashtrues dhe kam dyshuar se është i rrezikshëm për vendin. Për atë arsye e kam pyetur: kush je ti, a mos je i zënë peng dhe kah po e çon Kosovën? Sot, dyshimet e mia se ai është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për vendin, u vërtetuan.”/arbresh.info/
Hoteli i famshëm botëror Burj Al Arab në Dubai do të mbyllet...
SHBA thotë se ka ndaluar një anije mallrash që tentoi t’i sh...
ShBA njofton sanksione të mëtejshme ndaj naftës iraniane
Peja barazon serinë çerekfinale ndaj Yllit
Kapet furgoni me 150 shpezë të futura ilegalisht nga Serbia ...
Rusia paralajmëron BE-në: Rritja e planifikuar e prodhimit t...