Xhudistët kosovarë ishin të jashtëzakonshëm në garat më të mëdha të xhudos botërore. Ata i fituan tri medalje të Botërorit dhe tri të Evropianit
Xhudoja ia ka zbardhur fytyrën Kosovës edhe në vitin 2019, shkruan Gazeta Express.
Garuesit e këtij sporti luftarak kanë qenë të jashtëzakonshëm duke i dominuar garat më të mëdha të xhudos botërore.
Ata fituan medalje të shumta dhe pikë olimpike, duke rrugëtuar me plot siguri drejt Olimpiadës “Tokyo 2020”.
Ngritjen më të madhe pa dyshim e pati Loriana Kuka.
Xhudistja pejane, e cila e la Zvicrën për të jetuar në Kosovë, e pati vitin më të mirë në karrierë.
Ajo fitoi medalje në dy ngjarjet kryesore të vitit, në Kampionat Botëror dhe Evropian.
Kuka i befasoi të gjithë për të mirë duke e fituar medaljen e bronztë në Botërorin e senioreve në Tokyo.
Ndërsa, ajo e fitoi të bronztën edhe në Lojërat Evropiane, përkatësisht në Kampionat Evropian.
Ajo nuk u ndal me kaq. Loriana fitoi medalje të argjendta në Grand Prix në Tel Aviv dhe Marrakech, e më pas të artën në Grand Prix të Tbilisit.
22 vjeçarja, e cila garon në kategorinë 78 kilogramë, ishte e pesta në Grand Slamin e Abu Dhabit dhe e shtata në Grand Prix të Budapestit.
Vit mjaft të suksesshëm pati edhe Distria Krasniqi.
Xhudistja kosovare, e cila garon në kategorinë 48 kilogramë fitoi medalje të shumta.
Suksesin më të madh e arriti në Tokyo, ku e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror për seniore.
Ajo ishte e dyta në Grand Slamin e Parisit, duke e fituar medaljen e argjendtë.
Në Grand Prix të Antalyas e fitoi medaljen e artë, ndërsa në Grand Prix të Budapestit u stolis me të argjendtën.
“Disi” e fitoi medaljen e artë edhe në garën e fundit të vitit, në “World Judo Masters”, që u mbajt në Kinë.
Për shkak të lëndimit, ajo nuk mundi të merrte pjesë në Lojërat Evropiane.
Majlinda Kelmendi gjithashtu e kishte një vit me plot medalje.
Xhudistja pejane e fitoi medaljen e bronztë në Kampionat Botëror.
Ajo ndërkohë e fitoi medaljen e artë në Lojërat Evropiane, që u mbajtën në Minsk të Bjellorusisë.
Fituesja e medaljes olimpike e fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Abu Dhabit.
E artë ishte edhe në Grand Slamin e Dusseldorfit dhe në Grand Prixin e Tel Avivit.
Në Grand Prixin e Budapestit ajo përfundoi në pozitën e pestë.
2019-shi ishte një vit tjetër pozitiv edhe për Nora Gjakovën.
Ajo e fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Evropiane, që e kanë vlerën e Kampionatit Evropian.
Nora, e cila garon në kategorinë 57 kilogramë, e fitoi medaljen e artë në Grand Prix të Tbilisit.
Ajo ishte e argjendtë në Grand Prix të Budapestit, ndërsa e fitoi të bronztën në garë për klube, ku e përfaqësoi Galatasarayn.
Në Botërorin e mbajtur në Tokyo u rendit e shtata.
Akil Gjakova ndërkohë mbetet garuesi më i mirë mashkull i Kosovës.
Garuesi pejan e fitoi medaljen e artë në turneun Grand Prix të Budapestit.
Në Grand Slam në Baku dhe Paris u rendit i pesti.
Ndërsa, në Botëror dhe Evropian mbeti pa medalje.
Edhe Laura Fazliu e pati një vit për mbamendje.
Ajo fitoi medalje të bronztë në Kampionat Botëror dhe Evropian për juniore.
Fazliu, e cila garon në kategorinë 63 kilogramë, e fitoi medaljen e artë në Kupën Evropiane në Sarajevë dhe po ashtu të artën në Kampionatin Ballkanik në Tiranë.
Trajneri Driton Kuka ka mbetur i mahnitur me sukseset e garuesve të tij.
“Viti 2019 ka qenë më i rëndësishmi në histori të Federatës sonë dhe për mua si trajner. Pavarësisht që medaljet e arta në Botëror e Olimpiadë janë më të vlefshme, ato janë të fituara vetëm nga Majlinda. Kurse, sivjet i kemi tri medalje në Evropian dhe tri në Botëror”, ka thënë Kuka.
Ai beson se në Lojërat Olimpike Kosova do të marrë pjesë me 5 garues, të cilat pritet ta fitojnë normën olimpike.
“Tashmë na pret një vit i gjatë dhe me cakun kryesor – Olimpiadën. Po besoj shumë në rezultat të mirë dhe ekipi është pjekur. Kjo jep shpresë që prej Olimpiadës të kthehemi përsëri me medalje. Do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm”, shprehet tutje trajneri i suksesshëm.
Kuka mendon se Akil Gjakova është dashur të fitonte më shumë medalje këtë vit, ndërsa tek të rinjtë thotë se Shpat Zekaj e Erza Muminoviq nuk i kanë arsyetuar pritshmëritë.
E befasinë e vitit e konsideron Loriana Kukën, pasi shprehet se as në ëndërr nuk e ka pritur që ajo të fitojë medalje evropiane dhe botërore. /Gazeta Express/
Kërkohej nga Gjermania për tentim vrasje, FAST vë në pranga ...
Rinumërohen 687 vendvotime nga 2 mijë e 557 gjithsej
Tronditje për Barcelonën, ylli i katalunasve i hapur që t...
Deklaratat e Trump për të vendosur forca amerikane, ushtarët...
27 vjet nga shpërbërja e TMK-së në FSK
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj