Një dekorim misterioz përpara vizitës në SHBA

10:38 | 27 Shtator 2015
M. A.

Vetëm pak ditë para se kryeministri Rama të nisej për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai ka bërë një gjest që para disa kohësh askush nuk do ta mendonte.

ABCNews raporton se në një ceremoni larg syve të medias, kryeministri i ka dhënë medaljen e mirënjohjes Shërbimit Informativ të Shtetit.

Ceremonia ku nderohet institucioni që ka qenë objekt i herëpashershëm i sulmeve të qeverisë, është kryer në prani të ambasadorit amerikan në Tiranë.

Më 22 shtator kryeministri, Edi Rama, ka dekoruar Shërbimin Informativ Shtetëror me Medaljen e Mirënjohjes për rezultatet në luftën antiterror.

Me shumë gjasë, ky vlerësim, edhe pse larg syve të opinionit publik, vjen në një kohë kur Edi Rama do të marrë pjesë në një samit të luftës kundër terrorizmit.

Aty thuhet se do ketë edhe një takim të rëndësishëm.

Por media sociale është mbushur me spekulime se çfarë ka në qendër të takimit të Ramës.

Si për të shtuar zjarr në debat, një deputet i PD, Kastriot Islami, i apasionuar pas teorive konspirative, thotë se Rama do të dorëzojë atje dosjen e Ilir Metës.

Ky i fundit një ditë më parë deklaroi se do të shkojë vetë në SHBA.

Se për çfarë, ende nuk dihet.

“Znj. Leskaj ka përfaqësuar Kuvendin e Shqipërisë. SHBA-të janë një partner i pazëvendësueshëm për Shqipërinë dhe komunikimi me përfaqësuesit e tyre ka qenë i pandërprerë. Për arsye edhe të largësisë por edhe të angazhimeve të ndryshme, nuk mund të shkoj çdo muaj në SHBA, por mos u shqetësoni se do të jem së shpejti, pas tre javësh, dhe do të kemi mundësi të komunikojmë edhe me ju edhe nga Uashingtoni për të gjitha çështjet,” tha Meta.

Ky debat ngjan shpesh si furtunë në gotë, që vjen nga periferia.

Shpërndaje në rrjete sociale