Punëtorët e Postës ende s’i kanë marrë pagat, Bordi paralajmëron kolaps

16:24 | 4 Korrik 2018
V. S.

Bordi i Drejtorëve i ndërmarrjes publike Posta e Kosovës Sh.A. ka shqyrtuar sot gjendjen në këtë ndërmarrje, në një takim të jashtëzakonshëm.

Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Postës thonë se e kanë njoftuar në vazhdimësi Qeverinë e Kosovës për gjendjen e rënduar financiare, duke i propozuar hapa konkret për tejkalimin e saj

“Me keqardhje njoftojmë të gjithë punonjësit e Postës si dhe opinionin publik, se nga ana e Qeverisë nuk është marrë asnjë veprim”, thuhet në njoftim.

“Për muaj të tërë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) dhe Qeveria janë duke injoruar çdo kërkesë e propozim nga Posta, përfshirë edhe kërkesat për takime”, thuhet më tej aty.

Ata kanë thënë se, duke marrë parasysh se Qeveria është Aksionari i vetëm i Postës e MZHE mbikëqyrëse e ndërmarrjeve publike,  një qëndrim i tillë mospërfillës është i papranueshëm dhe shumë i dëmshëm sepse këtë ndërmarrje është duke e dërguar drejt krizës edhe më të thellë.

“Së fundi, Posta nuk ka qenë në gjendje të përmbush as obligimet që ka ndaj institucioneve vendore publike e të cilat na kanë paralajmëruar se do të  bllokojnë xhirollogaritë tona më 2 gusht 2018, gjë që do të na sjellë në kolaps total”, paralajmëron Bordi i Drejtorëve.

Sipas tyre, e tërë kjo situatë është pasojë e mos mbulimit të humbjes që kemi pësuar nga ofrimi i Shërbimit Universal Postar e që këtë humbje në shumën prej rreth 5 milionë euro MZHE është e detyruar të na e paguajë, por refuzon ta bëjë këtë për vite me radhë.

“Si pasojë e moskryerjes së obligimeve nga ana e MZHE-së, Posta ende nuk ka pasur mundësi të paguajë asnjë pagë të vetme këtë muaj, e sot jemi më datën 4 korrik!”, vazhdon njoftimi.

“Ndërkaq, sërish ju njoftojmë se që nga ndarja e Postës nga Telekomi i Kosovës, Bordi dhe Menaxhmenti kanë shkurtuar të gjitha shpenzimet e mundshme në ndërmarrje, përfshirë edhe uljen e pagave për punëtorët, dy herë gjatë pesë viteve të fundit, gjë që nuk është bërë në asnjë ndërmarrje tjetër publike”, thuhet në arsyetimin e Bordit të Drejtorëve.

Pavarësisht lansimit të dhjetëra shërbimeve të reja, për të cilat janë në dijeni edhe qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet tona, ata thonë se mospagesa e humbjeve në Shërbimin Universal Postar dhe favorizimi i Qeverisë ndaj kompanive private në dëm të kompanisë së vet na kanë sjellë në këtë gjendje të rëndë.

“Për tejkalimin e gjendjes së rëndë dhe evitimin e kolapsit të Postës, kërkojmë nga MZHE të paguajë urgjentisht borxhin e krijuar si pasojë e humbjeve në Shërbimin Universal Postar. Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti mbesin të gatshëm për takim me Aksionarin në çdo kohë”, përfundon njoftimi./arbresh.info/