Halit Barani, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, ka thënë se Oliver Ivanoviq përgjgjet veprat e kryera më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, kur janë pushkatuar 10 shqiptarë brenda shtëpive dhe banesave të tyre, kurse janë plagosur 25 të tjerë, ndërsa 93 persona janë lënduar shumë rëndë ku dy prej tyre kanë vdekur më pas.
Sot gjatë ditës është protestuar para ndërtesës së EULEX-it në qytetet e Prishtinës dhe Mitrovicës me kerkesën për lirimin e Oliver Ivanoviq.
Më shumë se 500 veta ishin mbledhur para ndërtesë së këtij misioni në veri të Mitrovicës ndërsa në protestën e mbajtur në kryeqytet të pranishëm ishin rreth 20 serbë, kryesisht familjarë të Ivanoviq dhe një pjesë e tyre gazetarë të ndryshëm serbë.
Për të diskutuar për këto protesta dhe trajtimin e temës së krimeve të luftës së fundit në Kosovë, por edhe propozimin e Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që të përcaktohet një ditë e përbashkët për viktimat e luftës në Ballkan i ftuar në studion e Info Magazine të Klan Kosovës ishte Halit Barani, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë.
Barani i cili konsiderohet si një nga dëshmitarët e disa nga krimeve për të cilat akuzohet Invanoviq u shpreh se kjo protestë është një e drejtë që u garantohet të gjithëve por kërkesat e tyre për mbrojtën e Ivanoviq në liri nuk janë të arsyeshme pasi ai përgjigjet për një numër krimesh të rënda.
“Nuk do të thoja që jam dëshmitari më i fortë, sepse ka edhe dëshmitarë të tjerë të cilët flasin për Oliver Ivanoviqin që është përgjegjës për datën 14 prill kur pushkatohen 31 shqiptarë ku pjesëmarrës ka qenë Ivanoviq. Më 16 prill 1999 jam dëshmitar i drejtpërdrejtë, okular kur i kanë marrë nga kolona 8 shqiptarë të rinj të cilët janë pushkutuar në oborrin e një shqiptari”, tha Barani.
“Ivanoviq përgjgjet për 3 dhe 4 shkurt për vitin 2000 kur janë pushkatuar 10 shqiptarë natën, brenda shtëpive dhe banesave të tyre. Janë plagosur 25 të tjerë ndëra 93 persona janë lënduar shumë rëndë ku dy prej tyre kanë vdekur më pas”, tha ai.
Barani u shpreh se krejt këto dëshmi janë dërguar në organet kompetente por sipas tij nuk ka pasur shumë rezultate.
“KMLDNJ- qendra rajonale në Mitrovicë kemi deponuar dëshmitë te UNMIK-u po nuk kishte asnjë efekt. Më pas dëshmitë i kemi deponuar edhe te Eulex-i ku përfshihen fotografi të të plagosurve, të vrarëve dhe incizime me video kamerë. Të gjitha këto informacione janë për datat 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000”.
Ai gjithashtu shtoi se krejt këto krime janë kryer në prani të forcave paqeruajtëse.
“Këto krime janë kryer në prani të forcave paqeruajtëse të UNMIK-ut dhe KFOR-it francez. Ata nuk kanë dhëmë asnjë ndihmë sipas deshmitarëve okular të cilët kanë deklaruar se kanë kërkuar ndihmë por nuk kanë marrë përgjigje as nga ushtria franceze as nga policia e UNMIKU-ut”
Drejtuesi i KLMDNJ-së në Mitrovicë është shprehur se të gjithë duhet të dënohen nëse sistemi i drejtësisë në Kosovë do të funksiononte si duhet.
“Nëse do të kishte drejtësi diku, përgjegjësisë nuk mundet me i ik pasi janë quajtur forca paqeruajtëse dhe kanë qenë kompetent për siguri”.
“Ata janë akoma ndonëse tash janë ndërruar me EULEX. Fatkeqësisht në Kosovë nuk ka ligj, në fakt ka ligj po nuk është funksional. Nëse do të funksiononte ligji, vetëm për regjionin e Mitrovicës është dashur të përpiqeshin mbi 472 kriminelë që kanë bërë krime mbi popullatën shqiptare duke vrarë civilë, pleq e fëmijë”, tha Barani.
Sipas tij, fajtorët kryesorë janë krerët vendorë.
“Fajtorët kryesorë janë institucionet vendore pastaj të tjerët që i komandojnë këta”.
Barani i pyetur nëse në KMLDNJ janë paraqitur edhe raste të krimeve ndaj serbëve nga pala shqiptare, ka mohuar se ka pasur raste të tilla por përkundrazi kanë qenë vetëm raste të krimeve ndaj shqiptarëve.
“Në KMLDNJ në qendrën rajonale në Mitrovicë lajmërohen rastet nga 14 prilli 1991. Kur lajmërohet rasti duhet të gjurmohet dhe të mblidhen fakte e shënime por asnjë serb nuk është lajmëruar në Këshill për dhunë e aq më pak për vrasje e gjëra më të rënda. Sa i përket krimeve ndaj shqiptarëve ka shumë raste përfshirë edhe krime ndaj boshnjakëve e romëve”.
Kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë ka folur edhe për Gjykatën Speciale duke e cilësuar si një gabim.
“Unë si një pjesa dërmues e popullatës mendojë se ky gjykatë do të kalojë si gjykata e EULEX dhe sipas mendimit tim këta jën të interesuar me inçizu filma kinse po punohet diçka. Nëse ka pas krime të shqiptarëve duhet jo Gjykatë Speciale por kemi gjykatat tona. Të gjitha gjykimet e ata që akuzohen mu përgjigj këtu, nuk ka nevojë të vijnë të huajt”.
“Po shihet se edhe EULEX ka afera dhe jam i bindur se kjo Gjykatë nuk do të ketë asnjë efekt sepse UÇK, përkatësisht ushtarët e saj e kanë dëshmuar në Gjykata Ndërkombëtare se nuk kanë kryer krime por kanë pas qëllim çlirimin e vendit”.
Sipas Baranit, të gjithë ata që e kanë votuar mendojnë se ardhja e kësaj Gjykate mund të pastrojë Kosovën por sipas tij, shteti ynë nuk ka nevojë sepse është dëshmuar se ne jemi të pastruar.
Ai nuk e la pa përmendur edhe faktin se në qytetin e Mitrovicës ka akoma shumë telashe me pronat dhe shkeljen e të drejtave të njeriut dhe kjo po ndodh vetëm në pjesën veriore të qytetit.
“Është vetëm në pjesën e okupuar të qytetit sepse në pjesën tjetër të gjitha pronat e huaja ose janë liruar ose paguajnë qira ndërsa në anën tjetër jetojnë prej pas luftës dhe akoma janë aty, në pronë të huaj”.
“Pronarët që janë shqiptarë asnjëherë deri me sot me përjashtim të ndonjë rasti nuk kanë rikthyer asnjë banesë, asnjë shtëpi ose truall. Ndërsa në pjesën jugore, asnjë pronë nuk është e okupuar”.
Barani e fajëson ‘Habitatin’ duke shtuar se po merr përgjegjësi të cilat nuk i takojnë ndërsa institucionet vendore nuk po bëjnë aq sa duhet.
“Habitati paraqitet si shtet në shtet dhe nuk e pyet askënd. Nëse udhëheqësit nuk janë në gjendje me i përfund detyrat e veta, së paku kanë mundësi që të bëjnë trysni në Bashkësinë Ndërkombëtare për të treguar se Habitati nuk është shtet”.
Ai nuk la pa përmendur edhe faktin se policia franceze ka qenë e suksesshme pas luftës por misionet e EULEX-it dhe UNMIK-ut nuk kanë vazhduar rrugën e njëjtë.
“Më e suksesshme ishte menjëherë pas luftës, policia franceze të cilët kanë arritur brenda muajit qershor dhe korrik 21 kriminelë, në mesin e tyre një shqiptar. Fatkeqësisht kur kanë ardhur UNMIK-u i ka liruar duke deklaruar se po ikin prej burgut natën dhe kjo është e pamundur në Mitrovicë”.
“Pjesa dërmuese e Bashkisë Ndërkombëtare ka dështuar plotësisht ndërsa në Mitrovicë ka dështuar në total”.
“Me rëndësi është që nuk punohet dhe udhëheqësit e vendit nuk po bëjnë trysni te Bashkësia Ndërkombëtare për të gjitha problemet që paraqiten në Kosovë”.
Ai gjithashtu ka deklaruar se kanë dhënë prova edhe në rastin e Sllobodan Millosheviqit ndërsa sipas tij shqiptarët fatkeqësisht kanë harruar se çfarë ka ndodhur gjatë luftës.
“Atje ka ofruar KMLDNJ e Mitrovicës me bollëk duke ofruar edhe incizime të drejtpërdrejta me fotografi. Unë mendoj se ka pas dëshmitarë tjerë që kanë pas dëshmi për mu tu dënuar një kriminel, një kryekriminel. Unë mendoj se menjëherë në muajt e fundit të vitit 1999 shqiptarët kanë filluar të harrojnë krejt çfarë ka ndodhur”.
Në fund, Barani foli edhe për çështjen e të zhdukurve duke cilësuar se gërmimet nuk janë bërë dhe nuk po bëhen si duhet.
“Fatkeqësisht nuk po bëhet asgjë, KMLDNJ në Mitrovicë në shtator të viti 1999 ka dhënë shifra sa trupa të pajetë janë dhe informata për 12 varreza masive. Disa dihen e për disa dyshohet por nuk është bërë asgjë.Te tregu i bagëtive aty dihet se ka qenë një varrezë masive dhe kanë gërmuar 80 cm dhe janë larguar. Gjurmimi bëhet masovikisht ashtu si është bërë për serbët në Vushtrri dhe jo të gjurmohet kështu për shqiptarët. Faji është te vendorët por vendorët kanë pak gjëra në dorë por ju mungon trysnia te ata që po komandojnë”.
Drejtuesi i KMLDNJ-së për rajonin e Mitrovicës ëhstë shprehur i pakënaqur me luksin e qeveritarëve duke thënë se të gjithë ata që nuk punojnë duhet të dënohen me votë.
“Çfarë nevoje ka një ministër ose kryeministër të ketë katër deri pesë xhipa, janë shpenzime dhe para të popullit që punojnë çdo ditë. Ata që i kanë dhënë votën edhe mund ta marrin atë. Njerëzit që nuk punojnë duhet të dënohen me votë, është formë demokratike e dënimit”. /Klan Kosova/
Rezultatet e para: LVV-ja prin
Ramush Haradinaj propozon qeveri të opozitës, u bën ftesë LD...
Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Bulliqi jep një lajm të madh për VV-në, nga Podujeva
Vjen reagimi i parë nga LDK: Kokën lartë
Ronaldo: Jam ende i motivuar, do ta arrij shënimin e 1 mijë ...