Në njëmbëdhjetë komuna të Kosovës është përmbyllur në tërësi procesi i rinumërimit të votave të kandidatëve, pas vendimit të KQZ-së që në rinumërim të shkojnë të gjitha vendvotimet në nivel vendi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për RTKlive ka bërë të ditur se deri sot në ora 16:00 janë rinumëruar rreth 45 për qind e vendvotimeve, apo 1142 nga 2557 sa janë në total që do t’i nënshtrohen këtij procesi.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen. Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e enjte, 22 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar rreth 45% apo 1,142 nga 2,557 vendvotime”, ka thënë ai.
Komunat në të cilat është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave për kandidatë janë Dragashi, Kaçaniku, Leposaviqi, Prizreni, Skenderaj, Shtimja, Ferizaj, Vitia, Vushtrria, Zveçani e Juniku.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon që deri në fund të këtij muaji të përmbyllë në tërësi procesin e rinumërimit të votave për kandidatë, e më pas në fillim të shkurtit kanë thënë se planifikojnë të shpallin rezultatet përfundimtare.
Vendimi KQZ-së që të shkohet në rinumërim fillimisht në 10 komuna në total e në 28 të tjera vetëm 10 për qind, e më pas vendimi i dytë që të shkohej në rinumërim total erdhi pas evidentimit të manipulimeve dhe mos përputhjeve të mëdha me vota të kandidatëve brenda partive politike, për çka është aktivizuar edhe Prokuroria e Shtetit të cilët po mbledhin informata dhe prova të nevojshme për të vërtetuar nëse është kryer ndonjë vepër penale lidhur me procesin zgjedhor.

Tradhtia, alkooli e droga – shkaktarët kryesorë të divorceve...
Vdes 19-vjeçari në Cyrih, u godit nga një pllakë betoni gjat...
UNESCO: Vajzat përsëri mbeten prapa djemve në matematikë
Nipi publikon amanetin e fundit të Rexhep Qosjes, përmes një...
Kurti: Rexhep Qosja, figurë e paepur e mendimit shqiptar
Familja e ish-presidentit Thaçi i shpreh ngushëllime familje...