UEFA shpreh ngushëllime për vdekjen e Fatjon Bunjakut

17:37 | 8 Qershor 2026
D.H

Shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA, ka shprehur ngushëllime për vdekjen tragjike të futbollistit 22-vjeçar, Fatjon Bunjaku.

Bunjaku vdiq dje rreth orës 7:50 sipas njoftimit të Policisë në ShSKUK si pasojë e plagëve të marrë në një aksident trafiku në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë i cili kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së dielë, shkruan Arbresh.info.

Familja Bunjaku gjeti mbështetje të fortë nga e mbarë shqiptaria, derisa edhe UEFA ka shprehur ngushëllime për futbollistin përmes një postimi në X.

“Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe mbështetjen për Federatën e Futbollit të Kosovës pas ndarjes nga jeta të 22-vjeçarit Fatjon Bunjaku”, ka shkruar UEFA.

“Mendimet tona janë me familjen, miqtë dhe ish-bashkëlojtarët e tij, në këto momente të vështira për ta.

Fatjon Bunjaku karrierën si futbollist e nisi tek Trepça, derisa është paraqitur edhe me Phoenxin e Banjës, Malishevën, Gjilanin, dhe së fundmi ka qenë pjesë e Elbasanit në Shqipëri.

Po ashtu ai ishte edhe pjesë e kombëtares së Kosovës U21.

Varrimi i tij ishte i paraparë të bëhet sot rreth orës 17:00 në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale