Blloku A4 ndalet sonte në mesnatë, do t’i nënshtrohet remontit vjetor

18:00 | 8 Qershor 2026
H.E

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton se në kuadër të aktiviteteve të planifikuara të mirëmbajtjes dhe përgatitjes së kapaciteteve gjeneruese për periudhat kur kërkesat për energji elektrike shënojnë rritje, si dhe në përputhje me Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike (BVEE), njësia A4 e Termocentralit Kosova A do t’i nënshtrohet remontit të rregullt vjetor.

Për këtë qëllim, ekipet profesionale dhe teknike të TC Kosova A kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme, ndërsa sonte, duke filluar nga ora 00:00, njësia do të ndalet në mënyrë të planifikuar dhe të kontrolluar, në përputhje me standardet teknike dhe të sigurisë operative.

“Menjëherë pas krijimit të kushteve teknike në terren dhe përfundimit të procedurave të nevojshme të sigurisë, do të fillojnë aktivitetet e remontit vjetor, të cilat kanë për qëllim inspektimin, riparimin dhe sanimin e pajisjeve kryesore, rritjen e besueshmërisë operative, përmirësimin e performancës teknike dhe sigurimin e operimit të qëndrueshëm të njësisë gjatë ciklit të ardhshëm njëvjeçar të punës”, thuhet në njoftim.

“Remonti vjetor i njësisë A4 përfaqëson një ndër aktivitetet më të rëndësishme të mirëmbajtjes së planifikuar në Termocentralin Kosova A dhe është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të KEK-ut për ruajtjen e sigurisë së operimeve, rritjen e disponueshmërisë së kapaciteteve gjeneruese dhe garantimin e prodhimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike për vendin. Përmes këtyre ndërhyrjeve parandaluese dhe korrigjuese, synohet që njësia të operojë në mënyrë të sigurt, stabile dhe efikase deri në remontin e radhës vjetor. KEK mbetet i përkushtuar që, paralelisht me projektet madhore të modernizimit që po zhvillohen në kapacitetet gjeneruese në TC Kosova B, të vazhdojë realizimin e aktiviteteve të rregullta të mirëmbajtjes edhe në njësitë e TC Kosova A, me qëllim të sigurimit të operimit të tyre të besueshëm, të sigurt dhe afatgjatë”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale