Pedri jep një lajm të mirë për tifozët

12:07 | 3 Dhjetor 2025
D.H

Pas frikës së madhe që u krijua mbrëmë kur Pedri u detyrua të braktiste fushën i shqetësuar në ndeshjen kundër Atlético Madrid, katalanasit kanë marrë një lajm të mirë.

Gjithçka ndodhi në minutën e 73-të, kur mesfushori kanariot – një nga më të mirët në fitoren e Barcelonës – u ul në tokë duke kërkuar ndërrim.

Në Spotify Camp Nou ra heshtja, pasi “motori” i ekipit dukej se po ndiente dhimbje dhe të gjithë menduan më të keqen. Në vend të tij u aktivizua Dro, ndërsa frika e tifozëve u rrit edhe më shumë.

Por fatmirësisht, gjendja nuk është serioze. Pedri sapo ishte rikthyer pas një muaji mungesë dhe zëvendësimi i tij erdhi më shumë nga lodhja sesa nga një dëmtim i ri. Lojtari vetë qetësoi tifozët me një postim të shkurtër në rrjetet sociale: “Gjithçka në rregull, faleminderit!”

Deklarata e tij konfirmoi edhe fjalët e trajnerit Hansi Flick, i cili në konferencë pas ndeshjes sqaroi: “Pedri është mirë, vetëm pak i lodhur.” Nëse nuk ka ndonjë të papritur, ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës ndaj Betis.

Trajneri gjerman ishte i pari që mori frymë lirisht, duke pasur parasysh rëndësinë që ka Pedri në mekanizmin e Barcelonës. “Ai është një lojtar jashtëzakonisht i mirë. Jam i lumtur që nuk i është dashur kohë për t’u rikthyer në nivelin e tij. E pamë të shtunën dhe sot. Kontrolloi mjaft mirë lidhjen mes mbrojtjes dhe sulmit,” tha Flick pas sfidës.

Ndeshjen e radhës Barcelona e luan ndaj Betisit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale