Pa fitues në kryeqytet, Prishtina dhe Ferizaj ndajnë pikët

15:46 | 7 Dhjetor 2025
E.G

Prishtina dhe Ferizaj kanë barazuar 1-1 në një ndeshje shumë të luftuar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet.

Dy skuadrat në këtë takim vinin me një krizë pas katër ndeshjeve pa fitore, derisa tani ka shkuar numri në pesë i ndeshjeve pa fitore.

Pjesa e parë u mbyll ashtu siç filloi, me rezultatin e barabartë 0-0, përkundër se dy skuadrat krijuan disa raste të mira.

Prishtina e nisi mirë pjesën e dytë, kur Mario Ilievski shënoi me kokë për 1-0 në minutën e 51-të.

Megjithatë nëntë minuta vetëm zgjati epërsia e vendasve, kur Jakup Berisha realizoi për 1-1 nga penalltia.

Ferizaj ka pasur mundësi të artë të fitonte takimin në minutën e fundit, por goditja e Shabanit shkoi pranë shtyllës dhe ndeshja u mbyll baras 1-1.

Me këtë pikë Prishtina rikthehet në pozitën e dytë me 27 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar, derisa Ferizaj është e nënta me 16 pikë.

Xhiron e ardhshme Prishtina luan në udhëtim te Ballkani, derisa Ferizaj përballet me Drenicën në Skenderaj. /Telegrafi/