Mesfushori i Real Madrid CF, Federico Valverde, ka folur para mediave në konferencën për shtyp në qendrën stërvitore të klubit në Valdebebas, në prag të ndeshjes së parë të 1/8 së finales së UEFA Champions League ndaj Manchester City.
Futbollisti uruguaian theksoi se skuadra madrilene synon të paraqitet më mirë se në ndeshjet e fundit dhe të bëjë një hap përpara.
“Shpresojmë të bëjmë një hap përpara dhe tifozët të ndihen krenarë për ne. Mendoj se edhe stafi teknik po jep maksimumin që të gjithë të jemi mirë. Jemi shumë të bashkuar”, deklaroi Valverde.
Duke folur për mungesën e Kylian Mbappé, ai theksoi se skuadra është e përqendruar te ndeshja.
“Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, por ne jemi të fokusuar te ndeshja njësoj. Kushdo që të luajë do të japë 100 për qind për të marrë një rezultat të mirë për ndeshjen e kthimit”.
Valverde komentoi edhe udhëtimet e fundit të Mbappé dhe Jude Bellingham.
“Unë kam besim te të gjithë njerëzit e Real Madridit dhe kam një person shumë të besueshëm brenda klubit, që është një fizioterapist. Jam shumë i qetë. Mendja ime ka qenë 100 për qind te City këto ditë dhe gjërat jashtë nuk do të na ndikojnë në diçka tjetër përveç Real Madridit”.
Mesfushori madrilen u shpreh i lumtur që lojtarët e rinj nga akademia po marrin minuta.
“Jam shumë i lumtur që të rinjtë po marrin mundësi, sepse punojnë shumë dhe vrapojnë shumë. Është shumë bukur. Thiago po luan dhe po bën mirë, por duhet të jenë edhe të përulur jashtë fushës për të qenë shembull për lojtarët e tjerë të akademisë”.
Valverde theksoi se është gjithmonë i gatshëm të përshtatet me kërkesat e trajnerit Carlo Ancelotti.
“Unë përpiqem të përshtatem me idetë e trajnerit. Më ka qëlluar të luaj në shumë pozicione dhe gjithmonë mundohem të jap kontribut aty ku më kërkohet. Ndonjëherë trajneri dëshiron që të marr topin në krah, herë të tjera në mesfushë ose të arrij më shumë në zonë. Për mua më e rëndësishmja është të jem në formacion dhe të jap më të mirën”.
“Jemi shumë të motivuar dhe kemi shumë dëshirë. Ndeshja që humbëm këtu nuk ishte e mirë dhe ata na dominuan. Kemi punuar shumë këto ditë si në fazën sulmuese ashtu edhe në atë mbrojtëse. Gjëja më e rëndësishme është të jemi të bashkuar dhe tani jemi në një moment të mirë”.
Duke komentuar formën e lojtarëve të Cityt, përfshirë Antoine Semenyo, Valverde theksoi cilësinë e skuadrës angleze.
“Të gjithë lojtarët e Cityt janë të klasit botëror. Janë në një moment të mirë dhe e dinë shumë mirë çfarë luajnë. Duhet të kemi kujdes, por mua më pëlqen të fokusohem te ne dhe te bashkimi i skuadrës”.
Në fund, Valverde foli për përgjegjësinë që ndjen si një nga liderët e ekipit.
“Në futboll ka momente të mira dhe të këqija. Si referencë në skuadër duhet të jesh gjithmonë i gatshëm, edhe kur ke dhimbje, që të tjerët të ndihen krenarë që kanë në krah Fede Valverden si në aspektin personal ashtu edhe në atë sportiv”.
Kujtojmë se Reali në play-off të Champions League eliminoi Benfican./Arbresh.info
Haziri për Vjosa Osmanin: Nëse do të kandidohej, LDK do ta d...
Osmani takon përfaqësuesit e NATO-s, vlerëson rolin e NALT-i...
Kuvendi pre e një sulmi kibernetik, izolohet rrjeti pas fshi...
Costa: BE duhet të përgatitet për zgjerimin e ardhshëm
Lufta në Iran, Pentagoni: Rreth 140 ushtarë amerikanë të pla...
‘Krabeni’ e ‘Makazze’ me ekipet e tyre sigurojnë play-offin ...