Mësohet arsyeja pse Courtois u zëvendësua pas pjesës së parë

22:22 | 17 Mars 2026
D.H

Një situatë e papritur ndodhi në pushimin mes pjesëve të ndeshjes mes Manchester City dhe Real Madrid në “Etihad”.

Portieri ukrainas Andriy Lunin u pa duke u ngrohur në fushë së bashku me trajnerin e portierëve, ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës ndodhej në zhveshtore.

Pak më vonë u konfirmua se Lunin ishte zëvendësimi i parë i ndeshjes, pasi titullari Thibaut Courtois ndjeu një mbingarkesë në muskujt aduktorë të këmbës së djathtë.

Klubi madrilen vendosi të mos rrezikojë dhe portieri belg u zëvendësua për të shmangur një dëmtim më serioz.

Courtois do t’i nënshtrohet testeve mjekësore në Madrid, ndërsa mbetet në pikëpyetje për derbin e fundjavës ndaj Atlético Madrid, një përballje shumë e rëndësishme në kampionat.

Nga ana tjetër, rikthimi i Lunin në “Etihad” sjell kujtime të mira për Realin. Ukrainasi kishte qenë protagonist në vitin 2024, kur madrilenët siguruan kualifikimin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve falë pritjeve të tij vendimtare, përfshirë dy penallti të ndalura në serinë finale.

Edhe këtë herë ai tregoi menjëherë vlerat e tij, duke ndalur një rast të pastër shënimi të sulmuesit të Cityt, Erling Haaland./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale