Marca: Camavinga u rrëzua emocionalisht në Mynih – lot, ndjenjë faji dhe në një situatë kritike

16:14 | 19 Prill 2026
D.H

Skena në dhomat e zhveshjes së Real Madridit pas eliminimit në Mynih nga Bayern Munich ishte e mbushur me tension dhe zhgënjim të madh. Futbollistët madrilenë u larguan nga fusha të nervozuar dhe të indinjuar me vendimet e arbitrit, ende nën ndikimin e adrenalinës së ndeshjes.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi sapo hynë në zhveshtore. Heshtja mbizotëroi kur panë protagonistin e momentit kyç, Eduardo Camavinga. Mesfushori francez ishte i vetëm, i thyer emocionalisht dhe duke qarë pa kontroll, raporton Marca.

Ishte pamja e një lojtari që e kuptonte se një gabim i tij kishte ndikuar drejtpërdrejt në fatin e eliminimit.

Pavarësisht polemikave për gjykimin dhe kartonin e kuq, Camavinga mori përgjegjësinë mbi vete. Ai ishte i vetëdijshëm se në atë moment duhej të kishte lënë topin dhe të rikthehej në pozicion. Përjashtimi i tij rezultoi goditje vendimtare për ekipin.

Ky episod pasqyron në një farë mënyre edhe sezonin e vështirë që po kalon francezi. Në muajt e fundit, forma e tij ka rënë ndjeshëm dhe ai ka humbur rolin kryesor në formacion, duke lënë vend për lojtarë me profil tjetër si Thiago Pitarch apo Brahim Díaz.

Lojtari që dikur elektrizonte “Santiago Bernabéun” me energjinë dhe dominimin e tij, këtë sezon nuk ka arritur të rikthejë atë nivel. Gabimet në pasime, pasiguria në vendimmarrje dhe mungesa e vetëbesimit e kanë kthyer në një hije të vetes së tij.

Presioni duket se ka bërë të vetën. Dhe ndeshja në Mynih ishte kulmi i një forme negative që zgjat prej muajsh.

Pas përfundimit të ndeshjes, Camavinga reagoi edhe në rrjetet sociale, duke kërkuar falje me një mesazh të shkurtër, të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë – një tregues i qartë i autokritikës dhe përkushtimit të tij.

Brenda skuadrës, shokët kanë qëndruar pranë tij, duke u munduar ta mbështesin në këtë moment të vështirë. Megjithatë, imazhi i tij duke qarë në zhveshtore pritet të mbetet gjatë në kujtesë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale