Maran: Ëndrra juaj dhe e imja është të shkojmë në Botëror, nisim një rrugëtim të ri së bashku

11:20 | 19 Maj 2026
D.H

Presidenti i FSHF-së Armand Duka doli në konferencën për shtyp pasi prezantoi trajnerin e ri të Shqipërisë, Rolando Maran. Krah tij u shfaq edhe Silvinjo me zëdhënësin e Federatës.

Fillimisht fjalën e mori presidenti Duka duke e prezantuar italianin dhe më pas trajneri Maran foli për objektivat e tij, synimin në Kombëtare.

“Do të bëjmë publik emrin e trajnerit të ri të Shqipërisë, që është në krahun tim, Rolando Maran. Mbyllëm një cikël me Silvinjon dhe stafin e tij, e falënderojmë për kontributin e tij në Kombëtare. Bashkë kemi kaluar një periudhë shumë të rëndësishme, me emocione, kemi qeshur dhe kemi qarë. Në futboll konsiderohet normale mbyllja e një cikli, ndahemi me konsensus. Hapim një cikël të ri me një trajner jo të ri në moshë, siç është zoti Rolando Maran. Objektivat tona mbeten aty ku duam të jemi, vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi për në EURO 2028, dhe më pas për të vazhduar me objektivin që se kemi arritur asnjëherë për të qenë pjesë e Botërorit. Nuk dua të zgjatem më tepër, dua të falënderoj Silvinjon, Dorivën, Zabaletën, për kontributin dhe bashkëpunimin me Kombëtaren shqiptare. Iu uroj shumë suksese trajnerit Rolando Maran me Kombëtaren shqiptare, unë nuk bëra CV-në sepse është një emër i njohur duke qenë se ka trajnuar skuadra të rëndësishme si në Serinë A dhe B në Itali, dhe jam i sigurt që do të bëjë mirë  në kualifikuese”, tha Duka.

Pastaj në konferencën e thirrur për shtyp foli dhe selektori i ri, Rolando Maran. Ai tregoi objektivat e tij që ka me kombëtaren shqiptare.

“Dua të falënderoj presidentin për këtë mundësi për mua, falenderoj edhe Silvinjon për atë që ka bërë në këto vite. E kam ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare dhe keni gjithë komplimentat e mia. Po më jep mundësinë për të përfaqësuar një popull me krenari të madhe, që është afër shtëpive tuaja, është diçka që ndjehet kur flet me një tifoz shqiptar, dua të transmetoj këtë dashuri të madhe për këtë fanellë. Për mua është një impenjim që po ndërmarr, është diçka që e ndjej brenda, është shumë e fortë që po ndjej për këtë mision, të transmetojmë në fushë, atë që përfaqësoni”, tha ai.

“Mua më pëlqen të kem skuadër agresive, duhet të tregojmë që jemi të fortë në fushë, ADN-ja ime është kjo dua të transmetoj këtë gjë. Kam pyetur shumë herë, është diçka që nuk e fsheh duke marrë parasysh që do të drejtoj këtë Kombëtare, nuk është njësoj si trajnosh një skuadër, ka një ndjenjë përkatësie.”

“E njoh mirë, shumë lojtarë i njoh se kam parë shumë ndeshje të Shqipërisë, madje i kam riparë disa prej tyre, kam folur me De Biazin, përderisa është një mik i mirë është një trajner që e vlerësoj shumë për atë që ka dhënë. Më ka dhënë disa indikacione që i vlerësoj. Nëse nuk do ta mendoja nuk do të isha këtu, janë mundësitë për të arritur objektivat, nuk do të jetë e thjeshtë por mund t’ia dalim. Me ato që ju keni, ne kemi mundësi për të bërë më tepër edhe ndaj skuadrave që mund të jenë më të forta në letër, të arrijmë objektivin për të qenë në krye.”

“Ëndrra juaj dhe e imja është të shkojmë në Botëror, të arrij të sjell ato rezultate që të gjithë i dëshirojmë. Me bindje dhe profesionalizëm, me një grup të bashkuar dhe me pak fat kjo mund të arrihet”./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale