Gjashtë fitore radhazi në La Liga, Alonso ‘me këmbë në tokë’: Jemi në fazë ndërtimi, vetëm 51 ditë pune

09:39 | 24 Shtator 2025
D.H

Real Madridi mbrëmë fitoi ndeshjen e radhës në La Liga, ku triumfoi me rezultat 4-1 ndaj Levantes, në kuadër të xhiros së gjashtë. Madrilenët po kryesojnë tabelën me 18 pikë pas gjashtë takimeve.

Xabi Alonso, trajneri i Real Madridit, u shpreh i kënaqur pas fitores së gjashtë radhazi në La Liga.

“Ishte një ndeshje shumë e plotë. Më pëlqeu mënyra si e nisëm që në pjesën e parë dhe si reaguam në të dytën, sidomos Mbappé, kur kundërshtari shkurtoi diferencën”, tha ai.

Alonso vlerësoi veçanërisht Vinicius, autor i një goli të bukur që hapi ndeshjen, teksa foli pak edhe për derbin me Atleticon.

“Vini ka bërë një paraqitje vendimtare dhe shumë të rëndësishme. Për derbin: Sapo përfunduam këtë ndeshje, nesër të mendojmë për derbin”, vazhdoi ai.

Alonso foli edhe rreth skuadrës si dhe rotacioneve në ekip.

“Jemi në fazë ndërtimi, vetëm 51 ditë pune. Po krijojmë një bazë solide për të qenë konkurrues në Champions League, La Liga dhe Kupë. Shumë lojtarë janë të përfshirë, kemi gjëra për t’u përmirësuar, por rruga është e mirë. Ky është vetëm fillimi.”

“Rotacionet? Kur ke lojtarë cilësorë e fleksibël, është më e lehtë. Sot disa duhej të pushonin, si Militao dhe Carvajal, ata që hynë e bënë shumë mirë. Tash është koha për derbin”, e mbylli ai.

Ndeshjen me Atletico Madridin, Reali e luan në “Metropolitano”, të shtunën me fillim nga ora 16:15./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme