Foda: Çekia test i rëndësishëm për Kosovën, jemi përgatitur mirë

17:30 | 30 Maj 2026
Q L

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur nga Praga në prag të ndeshjes miqësore që “Dardanët” do ta zhvillojnë nesër kundër Çekisë.

Çekët dhe Dardanët do të përballen në një ndeshje miqësore.

Tekniku gjerman theksoi se skuadra ka zhvilluar përgatitje të mira gjatë ditëve të fundit, me fokus të veçantë në aspektin taktik, ndërsa shprehu besimin se futbollistët do t’i zbatojnë në fushë detyrat e planifikuara.

“Jemi përgatitur mjaft mirë dhe kemi punuar intensivisht në aspektin taktik. Shpresoj që nesër skuadra t’i zbatojë në lojë të gjitha ato që kemi ushtruar gjatë stërvitjeve”, deklaroi Foda.

Ai vlerësoi lart kundërshtarin, duke e cilësuar Çekinë si një ekip të fortë dhe shumë agresiv, por shtoi se kjo përballje paraqet një mundësi të mirë për Kosovën që të dëshmojë nivelin e saj.

“Çekia është një skuadër cilësore, me intensitet të lartë në lojë. Për ne është një test i rëndësishëm dhe një mundësi e mirë për të treguar se mund të garojmë dhe të luajmë në nivele të tilla”, u shpreh përzgjedhësi i Kosovës.

Ndeshja ndaj Çekisë do të shërbejë si një provë e vlefshme për Kosovën në kuadër të përgatitjeve për sfidat në Ligën e Kombeve që nisin në muajin shtator.

Shpërndaje në rrjete sociale