Flick konfirmon largimin e Ter Stegenit te Girona: Vendimi i duhur, i uroj më të mirën

18:41 | 20 Janar 2026
D.H

Hansi Flick ka konfirmuar këtë të martë, në konferencën për shtyp para ndeshjes në Pragë ndaj Slavias, se Marc-André ter Stegen do të largohet nga Barcelona në formë huazimi te Girona.

“Ter Stegen ka thënë se po shkon te Girona. Ai është një portier fantastik. Ky është vendimi i duhur dhe i uroj gjithë të mirat. Është një person i jashtëzakonshëm dhe një portier i madh”, u shpreh Flick.

Flick foli edhe për të ardhmen e portierit gjerman dhe objektivin e tij kryesor ndërkombëtar.

“Ai ka shanse të mira për të shkuar në Kupën e Botës. Do t’i mbajmë gishtat e kryqëzuar që të jetë në Gjermani”, shtoi tutje.

Para Flick, lajmin e kishte paralajmëruar edhe Alejandro Balde. Mbrojtësi i majtë tregoi se skuadra ishte njoftuar që në orët e para të ditës dhe theksoi rolin e madh të Ter Stegenit në ekip.

“Marc ka folur me ne këtë mëngjes. Ai është një referencë shumë e madhe për ne. Praktikisht jam rritur duke e parë dhe tani ai është kapiteni im”, tha Balde.

Balde i uroi suksese portierit gjerman në këtë hap të ri të karrierës.

“I uroj fat, jam shumë i lumtur për të dhe shpresoj që të rifitojë besimin pas rikuperimit nga lëndimi”, përfundoi ai.

Huazimi i Ter Stegenit te Girona pritet t’i japë atij më shumë minuta për të marrë pjesë në Kupën e Botës me Gjermaninë, pasi tashmë Barcelona ka një portier si Joan Garcia i cili është konfirmuar edhe nga Flick që është numri 1 i portës së katalanasve./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale