Flick i ankohet zyrtarëve të UEFA për gjendjen e fushës para ndeshjes me Atleticon

20:41 | 13 Prill 2026
D.H

Atletico Madrid është nikoqire e Barcelonës në “Metropolitano” nesër mbrëma në kuadër të çerekfinales së kthimit të Ligës së Kampionëve.

Para fillimit të seancës stërvitore, trajneri i FC Barcelona, Hansi Flick, shprehu pakënaqësinë e tij ndaj delegatëve të UEFA-s që ndodheshin në fushë, për shkak të gjendjes së barit.

Pamje të publikuara nga El Desmarque tregojnë trajnerin gjerman duke iu drejtuar përfaqësuesve të organit më të lartë të futbollit evropian dhe duke u treguar konkretisht një zonë të fushës që nuk ishte në nivelin e duhur.

Mbetet e paqartë nëse shqetësimi i tij lidhej vetëm me lartësinë e barit apo edhe me faktin që fusha dukej e thatë.

Në çdo rast, në mënyrë të sjellshme dhe profesionale, Flick deshi të bëjë të qartë pakënaqësinë e tij për gjendjen e terrenit, vetëm pak më shumë se 24 orë para përballjes vendimtare, ku është në lojë kualifikimi në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Ndeshja luhet nesër me fillim nga ora 21:00 derisa ndeshja e parë në “Camp Nou” u mbyll 0-2 në të mirë të Atleticos./Arbresh.info