Pulis krahason Artetën me Ferguson: Mund të ndërtojë një dinasti te Arsenal

16:03 | 29 Maj 2026
Q L

Arsenal dhe trajneri i saj Mikel Arteta kanë marrë vlerësime të larta nga ish-trajneri, Tony Pulis, i cili ka thënë se spanjolli mund të ndërtojë një “dinasti” të ngjashme me atë të Sir Alex Ferguson te Manchester United.

Duke folur për “BOYLE Sports”, Pulis theksoi se një nga faktorët kryesorë të suksesit të Arsenalit ka qenë durimi dhe mbështetja e klubit ndaj Artetës, në një kohë kur shumë klube ndryshojnë trajnerët shpesh.

Ai e krahasoi situatën e Artetës me fillimet e vështira të Sir Alex Ferguson te Manchester United, duke kujtuar se edhe skocezi kishte kaluar vite pa trofe të mëdhenj para se të ndërtonte një periudhë dominuese në futbollin anglez.

“Arsenali i ka dhënë Mikel Artetës kohë, e ka mbështetur dhe ai ka bërë përmirësime të mëdha. Nëse vazhdon kështu, mund të flasim për një dinasti të vërtetë, të ngjashme me atë të Fergusonit”, tha Pulis.

Ai shtoi se Arteta, pas suksesit të fundit në Premier League dhe me ekipin që synon Champions League, mund të hyjë në histori nëse arrin të fitojë edhe trofeun më të madh evropian.

Arsenali po kalon një nga sezonet më të rëndësishme në dekadat e fundit, ndërsa synon triumfin në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain.

Një fitore eventuale do ta kurorëzonte projektin e Artetës dhe do të forconte më tej pozitën e tij në historinë e klubit londinez.

Shpërndaje në rrjete sociale