Dortmund mposht Mamelodi Sundowns në një ndeshje me shtatë gola

20:02 | 21 Qershor 2025
Q L

Borussia Dortmund ka regjistruar fitoren e parë në Botërorin e Klubeve, duke mposhtur Mamelodi Sundowns me rezultat 4-3, në një ndeshje dramatike me shtatë gola.

Kjo ka qenë ndeshja e parë ndonjëherë për ekipin nga Afrika e Jugut kundër një skuadre evropiane.

Sundowns ka befasuar që në minutën e njëmbëdhjetë, kur Lucas Ribeiro Costa ka realizuar një gol të bukur pas një depërtimi duke ndarë mbrojtjen gjermane. Por vetëm pesë minuta më vonë, një gabim i portierit Ronwen Williams i ka dhuruar topin Felix Nmecha, i cili nuk e ka falur dhe ka barazuar rezultatin në 1-1.

Dortmund ka vazhduar përmbysjen para fundit të pjesës së parë. Serhou Guirassy ka realizuar me kokë për 2-1, ndërsa pak sekonda para pushimit Jobe Bellingham ka shënuar golin e parë me fanellën e Dortmund, duke çuar rezultatin në 3-1.

Në pjesën e dytë, gjermanët kanë shënuar edhe golin e katërt kur një krosim i Daniel Svensson është devijuar gabimisht në portën e vet nga Khuliso Mudau. Megjithatë, Sundowns nuk është dorëzuar. Iqraam Rayners e ka ngushtuar rezultatin në 4-2, ndërsa më pas një kundërsulm i shpejtë është finalizuar nga Lebo Mothiba për 4-3.

Sundowns e ka kërkuar barazimin deri në fund, por Dortmund ka arritur ta ruajë fitoren, duke bërë një hap të madh drejt fazës së 1/16-ve. Për skuadrën e Niko Kovac, kjo ka qenë një fitore e mirëpritur pas barazimit ndaj Fluminense në ndeshjen e parë.

Të ngjashme