Dembele për Enriquen: Nëse nuk vrapon, të ul në stol

18:22 | 29 Prill 2026
D.H

Ndeshja gjysmëfinale e parë e UEFA Champions League mes Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich (5-4) vazhdon të komentohet si një ndër përballjet më spektakolare të viteve të fundit.

Një duel i jashtëzakonshëm, ku të 22 lojtarët në fushë performuan në nivelin më të lartë, duke dhuruar një ndeshje që tashmë konsiderohet historike për tifozët e futbollit.

Protagonist absolut i kësaj përballjeje ishte Ousmane Dembélé, i cili po kalon një nga momentet më të mira të karrierës së tij. Francezi ka treguar transformim të madh, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë taktik, duke u shndërruar në lider të skuadrës.

Dikur i kritikuar për luhatje në formë dhe probleme me lëndime, sot Dembélé është lojtari që vrapon më shumë, ushtron presion të vazhdueshëm dhe motivon ekipin me energjinë e tij në fushë.

Në një intervistë për CBS Sports, Dembélé zbuloi edhe kërkesat e larta të trajnerit Luis Enrique.

I pyetur nga ish-futbollisti Micah Richards se si arrin të ketë kaq shumë energji në fushë, ai u përgjigj shkurt dhe qartë:

“Është e thjeshtë: nëse nuk vrapon, të ul në stol!”

Pas ndeshjes, Dembélé – i shpallur edhe lojtari më i mirë i takimit – foli për ndeshjen e kthimit, duke paralajmëruar një tjetër spektakël:

“Të dy ekipet do të sulmojnë dhe shpresoj që të jetë sërish një ndeshje e madhe. Ishte një përballje e jashtëzakonshme dhe ne e shijuam shumë.”

Ai shtoi se PSG do të udhëtojë në Gjermani me synimin e qartë për fitore dhe kualifikim:

“Është gjysmëfinale e Championsit. Jemi të kënaqur me rezultatin, por te 5-2 ndaluam së luajturi dhe na mungoi pak përqendrim. Tani shkojmë në Mynih për të fituar. Nuk do ta ndryshojmë filozofinë tonë – ne sulmojmë dhe edhe ata do të sulmojnë.”

Ndeshja e kthimit luhet të mërkurën në “Allianz Arena”./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale