City do t’i përgjigjet interesimit të Realit për Rodrin me kontratë të re, spanjolli do të jetë ndër më të paguarit te City

08:36 | 5 Gusht 2025
E.G

Manchester City është gati t’i ofrojë një kontratë të re mesfushorit Rodri, duke e bërë atë lojtarin e dytë më të paguar në skuadër pas Erling Haaland.

Ky veprim shihet si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj interesit të Real Madridit për spanjollin.

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, klubi është i vendosur ta mbajë Rodrin, të cilin e konsideron një element kyç të suksesit nën drejtimin e Pep Guardiolës.

Rodri ka kontratë me Cityn deri në vitin 2027, por presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, kishte synuar ta afronte në verën e vitit 2026, sipas mediave spanjolle Marca dhe AS.

Megjithatë, rëndësia e mesfushorit për projektin e Guardiolës dhe refuzimi i Cityt për të negociuar me rivalët ka çuar në një lëvizje të shpejtë për rinovim.

“Po flasim për një legjendë futbolli si Rodri. Ai sapo është rikthyer nga lëndimi dhe klubi po punon intensivisht për rinovimet, pas afrimeve në merkaton e verës”, ka shkruar Romano në rrjetet sociale.

Romano shtoi se Manchester City po përgatit një ofertë të re për Rodrin, e cila do ta vendosë atë si një nga më të paguarit në klub, menjëherë pas Haalandit.

Sipas tij, marrëveshja mund të mbyllet shumë shpejt, por gjithçka do të varet nga vetë lojtari.

Interesi i Real Madridit mbetet i pranishëm, por City është i vendosur të mos e humbasë një nga shtyllat e tij kryesore. /Telegrafi/