Bayern Munich “makthi” i Bellingham, a do ta thyej anglezi rekordin negativ ndaj bavarezëve të mërkurën?

17:29 | 13 Prill 2026
D.H

Real Madridi luan të mërkurën ndeshjen e kthimit ndaj Bayern Munich në kuadër të çerekfinales së kthimit në Ligë të Kampionëve. Ndeshja e parë në Madrid u mbyll 1-2 në të mirë të bavarezëve.

Skuadra e Arbeloas do të ketë nevojë për maksimumin nga secili lojtar për të arritur diçka që nuk e ka bërë kurrë në Ligë të Kampionëve: të përmbysë një ndeshje në eliminatore pasi ka humbur sfidën e parë në shtëpi.

Një skenar i tillë është arritur vetëm një herë në histori, në vitin 1971 në atëbotë garën e quajtur Kupa e Fituesve të Kupave, kur madrilenët përmbysën humbjen ndaj Ëacker Innsbruck.

Në mesin e lojtarëve kyç që duhet të jenë në formën më të mirë është edhe Jude Bellingham. Mesfushori anglez u rikthye si titullar në ndeshjen ndaj Gironës, pas një mungese që nga fillimi i shkurtit për shkak të lëndimit.

Paraqitja ndaj Gironës u konsiderua shumë pozitive, duke i dhënë ritëm dhe besim për sfidën e madhe që e pret ndaj Bayern Munich në Allianz Arena, ku pritet të jetë sërish në formacionin startues.

Megjithatë, Bayerni mbetet një kundërshtar i vështirë për Bellinghamin. Në karrierën e tij, anglezi është përballur plot 11 herë me bavarezët, duke regjistruar një bilanc negativ: tetë humbje, dy barazime dhe vetëm një fitore.

Kujtimet më të hidhura lidhen me periudhën e tij te Borussia Dortmund. Në maj të vitit 2023, ai humbi mundësinë për të fituar titullin e Bundesligës, pasi Dortmundi barazoi me Mainzin, ndërsa Bayerni fitoi në minutat e fundit dhe rrëmbeu trofeun.

Gjatë kohës së tij në Gjermani, Bellingham fitoi vetëm një trofe – Kupën e Gjermanisë në vitin 2021 – ndërsa në disa raste të tjera ishte pikërisht Bayerni që i mohoi sukseset.

Fitorja e vetme ndaj bavarezëve erdhi në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve dy sezone më parë, kur Joselu realizoi dy gola në minutat e fundit për të përmbysur gjithçka ndaj gjermanëve.

Tash, gati dy vite më vonë, Bellingham përballet sërish me një sfidë vendimtare ndaj Bayernit.

Real Madridi ka nevojë për një mrekulli – diçka që nuk i ka munguar në historinë e tij në Evropë – dhe për versionin më të mirë të numrit “5” në fushë.

Në tetë ndeshje të luajtura këtë sezon në Ligë të Kampionëve, Jude ka realizuar gjashtë gola dhe katër asistime./Arbresh.info

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale