Atalanta përmbys Dortmundin, kalon në 1/8 e finales

21:17 | 25 Shkurt 2026
E.G

Atalanta ka siguruar kualifikimin në mesin e 16 skuadrave më të mira të Ligës së Kampionëve, pasi mposhti Borussia Dortmundin me rezultat 4-1 në ‘New Balance Arena’, duke përmbysur humbjen me dy gola nga ndeshja e parë dhe duke kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 4-3.

Skuadra italiane u bë ekipi i parë që nga sezoni 2018/19 që arrin të përmbysë një disavantazh prej dy golash nga ndeshja e parë në fazën nokaut të kësaj gare.

Dortmundi, që kishte treguar formë të mirë në Bundesliga, e pa epërsinë të përgjysmohej brenda pesë minutave të para. Gianluca Scamacca realizoi pas një asistimi të devijuar, duke ndezur atmosferën në Bergamo. Vendasit vazhduan me presion të lartë, ndërsa Nicola Zalewski ishte vazhdimisht kërcënues, por portieri Gregor Kobel reagoi në disa raste.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, Atalanta shënoi edhe golin e dytë me ndihmën e fatit, pasi goditja e Davide Zappacosta u devijua dhe përfundoi në rrjetë, duke barazuar gjithçka në total.

Në pjesën e dytë, loja ishte më e balancuar. Mario Pasalic fillimisht rrezikoi, ndërsa në anën tjetër Maximilian Beier goditi shtyllën. Megjithatë, Atalanta kaloi në epërsi në total kur Pasalic realizoi me kokë pas asistimit të Marten de Roon, duke çuar në ekstazë tifozët vendas.

Dortmundi reagoi dhe barazoi rezultatin e përgjithshëm falë një aksioni të bukur mes Karim Adeyemi dhe Carney Chukwuemeka, me Adeyemin që realizoi për 3-1, duke e çuar sfidën drejt një fundi dramatik.

Kur gjithçka dukej se do të shkonte në vazhdime, një moment kontrovers vendosi takimin. Kobel humbi topin jashtë zonës, ndërsa pas një ndërhyrjeje të VAR-it u akordua penallti për Atalantën dhe karton i kuq për Ramy Bensebaini. Nga pika e bardhë, Lazar Samardzic realizoi me goditjen e fundit të ndeshjes për 4-1, duke vulosur kualifikimin dramatik të skuadrës italiane.

Eliminimi i Dortmundit ishte tejet dramatik, me Nico Schlotterbeck që u ndëshkua gjithashtu me karton të kuq nga banka rezervë.

Atalanta i jep fund një serie prej tri humbjesh radhazi në Ligën e Kampionëve dhe tani pret shortin e së premtes për të mësuar nëse do të përballet me Bayern Munich apo Arsenal në rundin e ardhshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme