Zvërneci/ Rama: Bashkëinvestitorët e projektit kanë tronditur armiqtë e Shqipërisë europiane

Screenshot

18:56 | 3 Qershor 2026
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale lidhur me investimin në Zvërnec që ka sjellë debate dhe protesta gjatë ditëve të fundit.

Rama shkruan investimet do realizohen në pronë private dhe nga investitorë seriozë ndërkombëtarë.

Sipas tij, dy vëllezër nga Katari, bashkëpronarë të konglomeratit global Power International Holding (Power Holding), kanë blerë truall privat në Zvërnec përmes transaksioneve bankare të certifikuara nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare.

“Dy projekte të realizuara tanimë nga fiks bashkëinvestitorët e projektit që ka tronditur armiq të Shqipërisë Europiane, konkurentë të Shqipërisë Turistike, shqiptarë të verbër që po përdoren si vegla qorre kundër Shqipërisë.

Po edhe shqiptarë të ndershëm e të ndjeshëm ndaj mjedisit, të cilët fatkeqësisht janë manipuluar nga lufta hibride që po zhvillohet egërsisht në rrjetet sociale nga armiqtë e vendit e tonë.

Kështu e kuptojnë zhvillimin në harmoni me natyrën ata që sot janë blerësit legjitimë të truallit privat në Zvërnec, dy vëllezërit e famshëm nga Katari që e kanë paguar me transaksione bankare të çertifikuara nga institucionet shqiptare e ndërkombëtare, si edhe bashkëpronarë të konglomeratit global Power Holding, një fuqi e madhe sipërmarrëse jo vetëm në Lindjen e Mesme, po edhe më gjerë”, shkruan kreu i qeverisë.

Ai u bën thirrje qytetarëve të interesuar të vizitojnë faqen zyrtare powerholding.com për të mësuar më shumë rreth aktivitetit të grupit dhe projekteve të tyre.

“Kush do të njihet me aktivitetin e tyre dhe të mësojë më shumë edhe për dy zhvillimet e bukura të postuara këtu, le të klikojë powerholding.com që të kuptojë se kush po vjen në këtë Shqipëri të rilindur ndërkombëtarisht, e pse s’mund të vijë kurrë dot për të prishur po vetëm për të lartësuar. Ndërsa kush nuk do të dëgjojë e të kuptojë, do duhet të presë si ata që ishin kundër stadiumit kombëtar, e pastaj panë finalen europiane në Tiranë duke bërë selfije me stadiumin”, përfundon në reagimin e tij kryeministri Rama.

/rtsh.al/