Përurohet nënstacioni policor në Orllan të Podujevës

19:35 | 3 Qershor 2026
E.G

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot është përuruar nënstacioni policor në Orllan të Podujevës, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë publike dhe përmirësimit të ofrimit të shërbimeve policore për qytetarët e kësaj zone.

Sipas njoftimit të Policisë, ceremonia e përurimit është mbajtur në kuadër të angazhimit për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore, me synim ofrimin e shërbimeve “sa më cilësore dhe efikase”.

Në ceremoni kanë marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, si dhe eprorë e zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Policia thekson se po punon në zbatimin e Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, ndërsa përurimi i këtij nënstacioni, sipas saj, forcon kapacitetet dhe thellon bashkëpunimin me komunitetin lokal.

“Nënstacioni Policor në Orllan dhe nënstacionet tjera policore do të kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë publike, forcimin e rendit dhe ligjit, si dhe në ofrimin e shërbimeve policore më të shpejta, më efikase dhe më të afërta për qytetarët”, thuhet në njoftim./Arbresh.info