Pas më shumë se një jave të qarkullimit të lajmeve mbi përhapjen e Hantavirusit ka reaguar zyrtarisht Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).
Në një deklaratë për mediat ISHP deklaron se nuk ka rrezik përhapjeje e as për pandemi pasi nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu.
“Ne themi se nuk ka vend për panik, shërbimi shëndetësor në të gjithë vendin është i gatshëm të identifikojë çdo rast të mundshëm sa më shpejt të jetë e mundur. ISHP ka të gjitha kapacitetet për të kryer diagnozën dhe për të dhënë rezultatin shumë shpejt. Nuk ka asnjë shans për një pandemi sepse nuk transmetohet nga personi në person, rreziku i shpërthimeve lokale është shumë i ulët”, njofton ISHP.
Shefja e Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino, sqaron në një postim në Facebook dhe jep një sqarim më shterues për virusin Andes dhe përhapjen e tij.
“Do të doja të bëja një sqarim. Pavarësisht peshës që po japin televizionet këto ditë, Shqipëria nuk ka asnjë rrezik nga virusi Andes, një lloj hantavirusi, i cili nuk qarkullon tek ne, por as në Ballkan e as në Europë. Po ashtu, edhe brejtësi që e strehon këtë virus nuk gjendet tek ne dhe as në Europë. Çdo hantavirus ka strehuesin specifik të tij.
Njëkohësisht, nuk ka asnjë qytetar shqiptar në listat e anijes apo kontakteve gjatë fluturimeve. Gjithsesi, duhet të jemi vigjilentë dhe të përgatitur, por nuk jemi të panjohur ndaj hantaviruseve, pavarësisht llojit të tyre.
Hantavirusi Andes nuk transmetohet kollaj nga njeriu tek njeriu. Ai kërkon kontakt të ngushtë dhe të zgjatur, por gjithashtu personi që e mbart e transmeton virusin vetëm për një periudhë të shkurtër kohe, çka ul shkallën e transmetueshmërisë. Hantavirusi që qarkullon tek ne, qoftë tipi Dobrava apo Puumala, nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu”, tha ajo.
Aktualisht ISHP ka nisur shpërndarjen e informacionit tek të gjithë mjekët për shenjat dhe zbatimin e protokolleve në rastet e dyshuara.
“Po përcjellim informacion tek të gjithë mjekët, për të qenë më të përditësuar me shenjat dhe simptomat e hantavirusit, si dhe zbulimin në kohë të çdo rasti të dyshuar dhe izolimin e çdo rasti të dyshuar nëse ka, si dhe monitorimin e kontakteve. Shqipëria ka kontakte të vazhdueshme me organizatat botërore të shëndetit, por edhe me vendet e rajonit, veçanërisht me Greqinë, e cila pati një rast të shpërthimit“, thuhet në njoftim.
ISHP ka nisur takimet informuese autoritetet portuale për informimin mbi shenjat dhe protokollet e izolimit dhe transportit të udhëtarëve të dyshuar që vijnë nga udhëtime të gjata.
Një tjetër hap i rëndësishëm është edhe studimi sero-prevalencë që ISHP ka nisur me bankën e gjakut për hantaviruset që mat sa persona në një popullatë kanë zhvilluar antitrupa ndaj hantavirusit, pra nëse kanë qenë të ekspozuar më parë ndaj këtij virusi.
ISHP ofron këshillim dhe informacion për të gjithë udhëtarët që shkojnë në udhëtime të gjata dhe ekspedita në vende të ndryshme, sidomos ato në Amerikën Latine, për t’u njohur më hartën e rrezikut të viruseve dhe mbajtjen e kontakteve gjatë udhëtimit./rtsh.al
Autoritetet gjermane arrestojnë një 17-vjeçar të dyshuar për...
Ska rrezik për pandemi nga hantavirusi në Shqipëri, ISHP: Nu...
Koalicion me LDK-në, përgjigjet Hamza: Dikush me dikë duhet ...
Kurti: Diaspora dhe bashkëpunimi me Gjermaninë çelës për zhv...
Statovci “godet” ish-partinë: Ta kesh emrin Guxo dhe mos të ...
Mourinho i vendos dy kushte Real Madridit, mediumi i njohur ...