Shqipëria është në udhëkrye nëse do të shkojë drejt paqes sociale apo drejt kaosit social

12:42 | 24 Tetor 2020

Zgjedhjet 2021 duhet të kenë fitues të vetëm Shqipërinë.

PAA përshëndet aktin e Presidentit për kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të Kodit Zgjedhor dhe kërkimin e marrjes së Opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias. Marrëveshja e 14 janarit dhe 5 qershorit 2019 krijuan premisa për kulturën politike të konsensusit dhe përgjegjësive të përbashkëta për ta nxjerrë vendin nga kriza sociale, kushtetuese dhe politike. Ky vizion dhe angazhim i opozitës së bashkuar u mbështet nga faktori ndërkombëtar, por mazhoranca vazhdon të jetë viktimë e dështimit të saj. Rama me ndryshimet e njëanshme kushtetuese, po deformon vullnetin e zgjedhësve dhe synon të vjedhë zgjedhjet parlamentare.

PAA shpreh shqetësimin publik se veprimet e njëanshme të PS-së dëmtojnë votimin e lirë dhe konkurencën politike. PS synon përqëndrimin e të gjitha pushteteve në pak individë me pushtet absolut ekonomik dhe politik. Kjo arrogancë po dëmton rëndë ambientin shoqëror dhe politik në vend.

Shqipëria ndodhet në udhëkryq. Ekonomia e vendit dhe financat publike gjatë vitit 2020 janë përkeqësuar më shumë se ҫdo vend tjetër i Balkanit, e konfirmuar kjo nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ndalja e varfërimit të shqiptarëve është arsyeja kryesore përse duhet paqja sociale në vend, përse politikanët duhet të përkushtohen për zgjedhje të ndershme dhe të lira. Cënimi i standarteve europiane të zgjedhjeve do të rrisin varfërinë ekonomike dhe shpirtërore.

PAA e rithekson vlerësimin e opozitës së bashkuar se “Hapësira që Presidenti i Republikës ka dhënë, nëpërmjet rikthimit për shqyrtim në Kuvend, e shoqëruar me kërkesën për marrjen e opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias, është jo vetëm një akt i pjekur në vazhdën e traditës politike dhe parlamentare 30 vjeçare, por edhe një mundësi e mirë për të rikthyer gjithë përfshirjen dhe konsensusin politik, si dhe gjetjen e zgjidhjeve teknike për eleminimin e deformimeve të rënda kushtetuese që mbartin ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor”.

PAA bën apel publik se të gjitha partitë politike duhet të udhëhiqen nga përgjegjësia ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë. Pa zgjedhje të lira, pa frymën e konsensusit dhe kompromiset për prioritetet kombëtare, pa eleminuar ҫdo pengesë në perspektivën europiane, shqiptarët dhe Shqipëria rrezikohen të mbeten të mbërthyer në ciklin e krizave të rënda ekonomike të ushqyera nga keq-qeverisja e vendit dhe krizat e përsëritura politike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara