Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se “zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është edhe një herë një nga prioritetet e BE-së”.
Deklarata e tij vjen në prag të një turneu diplomatik që ai e nis të martën në gjashtë vende të rajonit.
Duke folur përpara nisjes së turneut, Costa u shpreh se Bashkimi Evropian është i përkushtuar për të rifilluar procesin e pranimit, “i cili ka ngecur kohët e fundit, pjesërisht për shkak të hezitimit të vendeve anëtare”.
Ai theksoi rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për BE-në dhe synon t’u japë vendeve të rajonit siguri se integrimi i tyre është ende në agjendën e Brukselit. “Stabiliteti dhe prosperiteti i ardhshëm i kontinentit varet nga zgjerimi i bllokut”, tha ai.
Costa theksoi gjithashtu se “vendet e BE-së dhe Ballkani Perëndimor ndajnë një vizion të përbashkët, pasi i përkasin familjes evropiane” dhe se “kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë që ata të mund t’i bashkohen zyrtarisht kësaj familjeje, brenda Bashkimit Evropian”.
Sipas tij, “pushtimi rus i Ukrainës ka përshpejtuar procesin e anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë, kështu që nuk është e drejtë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kapërcehen nga Ukraina dhe Moldavia dhe kjo do t’i shtyjë ata të ecin më shpejt me reformat”, shkruan euronews
Në këtë kontekst, ai u bëri thirrje vendeve kandidate që të angazhohen me përkushtim për reformat e kërkuara në rrugën drejt anëtarësimit.
Itinerari i vizitës
Turneu i Costës do të nisë në Serbi, një vend që po përballet me krizë të thellë politike. Po të njëjtën ditë, ai do të vizitojë Bosnje-Hercegovinën, ndërsa të mërkurën do të takohet me udhëheqësit e Malit të Zi dhe Kosovës. Të enjten viziton Maqedoninë e Veriut, ndërsa ndalesa e fundit do të jetë Shqipëria, ku do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë.
EPC-ja është një forum strategjik politik ndërqeveritar që bashkon mbi 40 vende evropiane dhe u krijua në vitin 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës. Në këtë samit, zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor pritet të jetë në qendër të agjendës për shkak të paqëndrueshmërisë në rritje në rajon.
Udhëheqësit e BE-së janë të shqetësuar për përfshirjen e fuqive të jashtme në rajon. “Në anën e Këshillit Evropian, ekziston një konsensus i gjerë politik se zgjerimi është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik që mund të bëhet për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e të gjithë Evropës, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Costa.
Afatet e anëtarësimit
Ndërkohë që vitit 2030 shpesh i është referuar si afat për anëtarësimet e para në BE, sidomos për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, Brukseli aktualisht fokusohet kryesisht te Shqipëria dhe Mali i Zi.
“Unë nuk kam një datë të caktuar. Pse 2030? Dhe pse jo më parë? Pranimi është një proces i bazuar në merita. Nëse vendet kryejnë reformat, ato mund të bashkohen edhe përpara vitit 2030”, u shpreh Costa.
“Por janë pikërisht meritat që mund të ndryshojnë. Shqipëria dhe Mali i Zi janë dukshëm më të avancuara se vendet e tjera.”
Ai shtoi se tensionet e shtuara në rajon, veçanërisht në Bosnje dhe në marrëdhëniet Kosovë–Serbi, janë një shqetësim shtesë për BE-në. Megjithatë, ai theksoi se anëtarësimi në BE është një mjet i fuqishëm për tejkalimin e konflikteve.
“Unë nuk di asnjë nxitje më të mirë për të kapërcyer konfliktet që janë ende të hapura sesa kjo mundësi ndoshta unike, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Është kushti më i mirë për t’u ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor, një mundësi për prosperitet që ata do ta kishin të vështirë ta gjenin diku tjetër”, përfundoi Costa.
Arrestohet në Gjakovë i dyshuari për shpërndarje të material...
Aksident në Gjilan, vetura rrokulliset në mes të rrugës
Kremlini: Presim përgjigjen e SHBA pas bisedimeve të paqes
Oda Ekonomike me kallëzim penal ndaj ZRRE-së
Shorti i Botërorit 2026: Për herë të parë do të përmenden Ko...
Kërkoi kohë për t’u njohur me aktet, sot seanca paraprake në...