“40 forca policie me jelek antiplumb”, si u vra efektivi 34-vjeçar gjatë operacionit në Maliq

17:40 | 4 Qershor 2026
E.G

Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Besfort Lamallari dhe kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dolën në konferencë për mediet lidhur me vrasjen e efektivit në Maliq dhe plagosjen e kolegut të tij.

“Jam këtu për t’ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes së efektivit të vrarë, vetëm 34 vjeçar, Enea Mekolli. I njëjti ngushëllim shkon për çdo efektiv, kolegëve të Eneas. Jam këtu për t’ju shprehur pëkrahjen time si ministër. Vizitova kolegun e tij në spitalin e Traumës, u sigurova nga stafi mjekësor se kanë vëmendjen maksimale për ta trajtuar në mënyrën më të specializuar të mundshme”, deklaroi shkurtimisht Lamallari.

“Kemi shkuar në zonën e Lozhanit për kapjen e këtij personi. Rreth orës 07:30 forcat e policisë kanë mbërritur në vendin ku strehohej ky person, në stanin e tij, ku ky person Vilodan Braçellari, 42 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet e 11 muaj burgim nga Gjykata e Korçës për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike.

Ndërsa në vitin 2011 i ishte caktuar masa e arrestit në burg po për të njëjtën vepër penale. Shërbimet e policisë i kanë bërë thirrje të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së policisë dhe ka hapur zjarr në mënyrë të menjëhershme në drejtim të policisë”, tha kryepolici Hita sa i takon dinamikës së ngjarjes së rëndë dhe profilit të autorit. Ky i fundit, siç e theksoi drejtori i Policisë së Shtetit, rezulton me precedentë të theksuar kriminal dhe është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Kanë qenë 40 forca policie në këtë operacion, të gjithë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov e ka çarë tej për tej edhe antiplumbin”, sqaroi Hita.

Më tej, Hita nënvizoi se nuk ka qenë në dijeni për këtë operacion.

“Në momentin që është zhvilluar operacioni, nuk kam pasur informacion. Ky operacion është zhvilluar nga drejtoria e Policisë Korçë dhe masat për realizimin e operacionit janë masa që i përkasin vetëm kësaj drejtorie. Nëse do ishte kërkuar shqyrtimi i rastit, patjetër që do ishin marrë masat më të forta”, tha ai.

Si do mbështeten familjarët e të ndjerit?

“Humbje e thellë për të gjithë, duhet të gjejmë kurajon e forcën që të gjithë bashkë të ngrihemi. Për familjarët e dëshmorit, po bëjmë të gjithë procedurat që ai të marrë këtë status, do bëjmë më të mirën për t’ju gjetur pranë familjes së tij dhe njerëzve të dashur“, përfundoi Hita.