Shqipëri, bilanc i lartë vdekjesh në vendin e punës në 2020-n, autoritetet heshtin

18:43 | 23 Gusht 2020
Arbresh Info

Aksidentet në vendin e punës janë kthyer në një statistikë shifrash në rritje.

Përfaqësues të Organizatës Politike thonë se pavarësisht se gjatë 2020 ka pasur më pak punë për shkak të pandemisë, numri i aksidenteve dhe fataliteteve ka qenë tragjik.

22 viktima për shkak të aksidenteve në punë tregojnë se kemi të bëjmë me një bilanc të lartë vdekjesh që mund të vijnë edhe nga nxitimi që kompanitë e ndërtimit ushtrojnë për të zëvendësuar kohën e humbur në pandemi.

Mirela Ruko: Kemi një situatë të vështirë për shkak të Covid-it dhe ka shumë aktivitete të cilat janë mbyllur dhe ekonomia është në rrudhje. Përsëri edhe këtë vit, aksidentet në punë janë në shifra të larta. Deri tani që flasim janë 89 aksidente në vendin e punës dhe me pasojë kemi 22 punëtorë të cilët kanë humbur jetën. 2019 ishte një vit me një bilanc tejet tragjik; 39 punëtorë humbën jetën në vendin e tyre të punës.

Një shqetësim i ngritur prej organizatës politike është edhe përsëritja e aksidenteve në të njëjtin sektor pune.

Mirela Ruko: Flasim për minierat dhe ndërtimin që ka përsëritje të aksidenteve në punë dhe këto të dhëna Inspektoriati i Punës i di fare mirë.

Këtë të enjte Organizata Politike zhvilloi një aksion në ambientet e Inspektoriatit Shtetëror të Punës, ku  kërkuan të merreshin masat për sigurinë në punë.

Por sikur deklaron kjo organizatë nga Inspektoriati Shtetëror i Punës nuk ka pasur asnjë reagim.