Rama: Shëndetësia në Shqipëri mund të kthehet në pikë referimi për rajonin

13:03 | 15 Korrik 2021

Kryeministri shqiptar Edi Rama, deklaroi të enjten se shëndetësia në Shqipëri mund të kthehet në pikë referimi në të gjithë rajonin.

“Nga ana tjetër besoj që ne jo vetëm jemi në rrugën e duhur, por në këtë rrugë, ku po ecën përpjekja për ta çuar shëndetësinë në një nivel tjetër kemi mundësinë që ta çojmë shëndetësinë në Shqipëri një pikë referimi në të gjithë rajonin. Kemi mjekë të jashtëzakonshëm, kemi një trupë infermierësh që meriton respekt”, tha Rama.

Rama u shpreh se krahas forcës së ligjit në të gjithë sistemin publik shtetëror do të ndërtohet një rrjet i tërë antikorrupsion. Sipas tij, lufta mes së keqes duhet të jetë e përbashkët dhe duhet zhvilluar brenda sistemit. Ai u shpreh se ata që supozohet t’i shërbejnë popullit nuk mund të mëkatojnë me djersën e qytetarëve.

“Nuk mund të ketë luftë kundër të keqes nëse është e ndarë mes pushtetit ekzekutiv që qëndron në një barrikadë dhe atyre që janë jashtë këtij pushteti qoftë në radhët e këtij krimi, apo atyre që kanë abuzuar me pushtetin. Lufta duhet të zhvillohet brenda në radhë të parë dhe vetëm kështu do të rriten të ardhurat, do të rritet besimi, do të rritet solidariteti, dinjiteti dhe respekti dhe do të vendosen në vendin që e meritojnë në sytë e të gjithë opinionit publik ata që bëjnë detyrën. Vetëm kështu Shqipëria do të ngjitet në atë majën ku prej shumë e shumë vitesh është penguar të ngjitet. Kështu shteti do të bëhet aleati dhe bashkudhëtari i domosdoshëm dhe besnik i çdo qytetari. Në të kundërt është e vështirë. Natyrisht që edhe kjo është e vështirë, por jo e pamundur. Këto që po ndodhin për fat të mirë, janë shenjat e para të një ndryshimi që do të shkojë duke u thelluar dhe një lëvizje që do shkojë duke u bërë më gjithëpërfshirëse në çdo nivel. Nuk mund të mëkatohet me gjakun e pacientëve, nuk mund të mëkatohet me lotët e qytetarëve në asnjë sistem brenda për brenda të sistem të përgjithshëm shtetëror. Këto janë mëkate që shkojnë shumë më tej personales dhe përfshijnë në një mënyrë shumë të rrezikshme dhe shpesh herë si kancer vdekjeprurës kolektive, të përbashkët”./tvklan

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara