Rama reagon ndaj protestave: Projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrsesi, do të bëhen shëmbëlltyra krenarie kombëtare

07:35 | 8 Qershor 2026
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar mbrëmjen e sotme pas protestës së tetë kombëtare, teksa po sot zhvilloi një takim me socialistët e Elbasanit për 35-vjetorin e PS. Rama ka deklaruar se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrsesi dhe do të bëhen shëmbëlltyra krenarie kombëtare.

Kreu i qeverisë ka publikuar dhe komentet e bëra në adresë të atyre që mendojnë ndryshe nga protestuesit dhe sipas tij, “duhet të marrin mbrapsht furinë e gjuhës më anti-ambientaliste të mundshme”.

Sipas kryeministrit, këto projekte do të shndërrohen në modele të zhvillimit të qëndrueshëm dhe do të kontribuojnë në forcimin ekonomik të Shqipërisë, duke e afruar vendin më pranë standardeve të Bashkimit Europian.

POSTIMI I PLOTË I KRYEMINISTRIT RAMA
SHËNIM I DETYRUAR

Pra kur mblidheni ju me Rrethin Katror, e me blogerë e influencera që vijnë në bulevard për të marrë follouersa e llajke mbi tribunë, e me lloj-lloj qorrallapajsh rrotull dhe luftoni me tradhtarë imagjinarë, kundër projektesh imagjinare, për të mbrojtur natyrën nga shkatërrimi imagjinar e për të shpëtuar flamingot nga vdekja imagjinare, kjo është “Shqipëria e Re”, “Shqipëria e Shqiptarëve”, “Shqipëria që nuk shitet”, ndërsa kur mblidhen të tjerët ju i jepni vetes të drejtën t’i shani, ofendoni, pështyni, siç bëni me të tërë ata që marrin kurajon të shprehin ndonjë mendim ndryshe në faqet e tyre dhe duhet të marrin mbrapsht furinë e gjuhës më anti-ambientaliste të mundshme

Këto bashkëngjitur janë vetëm disa prej mbetjeve të gojës suaj, në adresë të socialistëve të Elbasanit sot, të cilat po ia bashkëngjis këtij shënimi për të gjithë ata që kujtojnë gabimisht se ka mbetur më ambientalizëm në atë protestë të stisur me ndjenjat e shumëkujt, duke i siguruar të tërë njerëzit e mirë e të shqetësuar pa dallim, se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi, po do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare, motorë të rinj të një ekonomie të denjë për një vend të Bashkimit Europian, pasqyra shembullore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe destinacione që do t’i shohë me admirim mbarë bota