Rama: 9 Maji nuk është vetëm festa e Europës, por një moment krenarie dhe afërsie historike të Shqipërisë me BE

09:53 | 10 Maj 2026
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në shënimet e javës në podcastin “Flasim”, është ndalur sot tek 9 Maji, Dita e Europës, duke theksuar se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë Bashkimit Europian.

Ai u shpreh se pas shumë dekadash, për herë të parë rruga drejt BE-së nuk duket më si një horizont i largët, por si një majë e kapshme dhe e arritshme në kohën që kemi në dispozicion.

“Rruga drejt BE nuk duket më si një horizont i largët, por si një majë tanimë e kapshme me sy dhe e arritshme në kohën që kemi në dispozicion,” tha Rama.

Duke folur për ecurinë e negociatave, kreu i qeverisë theksoi se procesi ka avancuar me ritëm të shpejtë dhe kapitujt janë hapur në kohë rekord.

“Marrëdhënia me BE ndërtohet ditë pas dite me rezultate konkrete dhe tanimë Komisioni Europian dhe vendet anëtare, përmes ambasadorit të tyre, janë në një fazë kyçe të procesit ku diskutojnë raportin e Komisionit i cili nënvizon se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe është e gatshme të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve,” u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se ky progres nuk ka ardhur rastësisht, por si rezultat i punës dhe transformimit të vazhdueshëm në çdo sektor.

“Kjo nuk ka ardhur rastësisht, ka ardhur me punë, me rezultate dhe nga një proces transformues që vazhdon në çdo sektor,” tha Rama, duke përmendur reformat në drejtësi, transformimin e administratës, digjitalizimin e shërbimeve, modernizimin e ekonomisë, investimet në energji dhe infrastrukturë, si dhe standardet e reja në sektorët strategjikë.

Kryeministri e cilësoi këtë rrugëtim si një zinxhir të fortë të ndërtimit të shtetit europian të shqiptarëve.

“Nuk janë pjesë të shkëputura apo një listë fjalësh pas të cilave ka pak përmbajtje, por janë hallkat e një zinxhiri gjithnjë e më solid të ndërtimit të shtetit europian të shqiptarëve,” theksoi ai.

Në përfundim, Rama e lidhi 9 Majin me ndjenjën e krenarisë dhe angazhimit për të ecur përpara.

“9 Maji nuk është për ne vetëm festa e Europës, por është momenti kur marrim frymë me një ndjenjë legjitime krenarie dhe ecim përpara për të arritur majën që tani është e arritshme me angazhim dhe vetëm me vullnet,” tha Kryeministri.

/rtsh.al/