Veliaj kërkon ndryshim mase sigurie, Kryebashkiaku i Tiranës i kërkon GJykatës së Lartë zbutje të masës

07:14 | 10 Maj 2026
E.G

Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, i është drejtuar Gjykatës së Lartë për të ndryshuar masën e sigurisë nga ajo e arrestit në burg në një masë më të lehtë, si detyrim paraqitjeje ose të marrë lirinë kundrejt garancisë pasurore.

Veliaj po qëndron me masën e arrestit në burg që nga muaji shkurt i vitit 2025 dhe herë pas here ka kërkuar zbutjen e masës, gjë që deri tani nuk është pranuar nga të tria shkallët e gjyqësorit.

Nga ana tjetër, në një postim në rrjetet sociale, Veliaj ka reaguar edhe në lidhje me seancën e mbajtur në Gjykatën Administrative mes tij dhe prokurorit të SPAK, Ols Dado.

“Kundër pranisë së kamerave u pozicionuan dy subjekte të shtetit shqiptar: i padituri Ols Dado dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Argumenti i paraqitur nga i padituri Dado ishte se transmetimi live mund të dëmtonte imazhin dhe karrierën e magjistratit, pasi akti i emërimit është një akt individual.

Ky argument shpjegon pikërisht pse transparenca është e domosdoshme. Në një shtet demokratik, karriera e një prokurori nuk mbrohet duke shmangur kontrollin publik mbi ligjshmërinë e mandatit të tij, por duke provuar publikisht se ai mandat është fituar në përputhje me ligjin. Një mandat i ligjshëm nuk ka frikë nga kamerat dhe një proces i drejtë nuk ka frikë nga publiku”, shkruan Veliaj.

Kryebashkiaku u zotua se do të kërkojë deri në fund verifikimin e plotë të ligjshmërisë së ushtrimit të detyrës së prokurorit, duke theksuar se askush nuk mund të mbajë këtë post në kundërshtim me kriteret ligjore dhe pa transparencë institucionale.

/rtsh.al/